Zëvendësministrja Gashi tha se ky 25-vjetor na rikujton ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke bërë që vendi të çlirohet përfundimisht nga një regjim që ka shkaktuar dhunë sistematike, krime e gjenocid ndaj një popullsie të pafajshme, duke hapur rrugën drejt paqes, stabilitetit dhe demokracisë.
“Republika e Kosovës, si shteti më demokratik në rajon, ka dëshmuar mirënjohjen që ka ndaj aleancës më të madhe ushtarake, NATO, dhe miqve e partnerëve tanë, të cilët kontribuan që vendi ynë të gëzojë paqen dhe lirinë”, tha zëvendësministrja Gashi.
Derisa ka folur për progresin e arritur në vend, zëvendësministrja Gashi theksoi: “Si shtet dhe shoqëri jemi të përcaktuar nga vlerat e parimet demokratike dhe këtë e dëshmon pozicionimi ynë përkrah demokracive perëndimore”. Ajo shtoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është rruga më e sigurt për të ofruar siguri, paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon, duke pasur parasysh qasjen destruktive dhe veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë.
“Historia e shtetndërtimit tonë dhe NATO-ja janë pjesë e padiskutueshme e rrëfimit të suksesshëm, si histori të pandashme nga njëra-tjetra, siç ishin dhe do të mbeten miqtë tanë ndërkombëtarë dhe përkrahja e tyre në rrugëtimin tonë drejt avancimit të progresit në vend”, theksoi zëvendësministrja Gashi në përmbyllje të fjalimit të saj.
Në hapje të konferencës mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, dhe përfaqësues të tjerë nga bota e akademisë dhe shoqërisë civile.