2882 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Hoxhaj takon homologun në Paris: Franca partnere e Kosovës

Paris, 20 janar 2017 - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar sot në Paris ku është takuar me homologun e tij francez, Jean-Marc Ayrault, me të cilin kanë diskutuar për nevojën e thellimit të raporteve bilaterale sidomos në planin ekonomik.

Po ashtu, në takimin mes dy ministrave është diskutuar edhe për rastin e ish Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe mbështetjen e Francës për lobim për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Hoxhaj ka thënë se së shpejti do të organizohet një forum i përbashkët ekonomik mes dy vendeve, ndërsa është shprehur optimist për lirimin e shpejtë të Haradinajt.

“Pata një takim shumë të mirë me ministrin e Jashtëm të Francës, Jean-Marc Ayrault, me të cilin biseduam si të lëvizim prej një bashkëpunimi të shkëlqyer politik në atë ekonomik. U pajtuam për një forum ekonomik të përbashkët që do të mbahet së shpejti. Franca do ta mbështesë Kosovën në shumë fusha, e veçmas në procesin e liberalizimit të vizave. Natyrisht që biseduam edhe për rastin e ndalimit të ish Kryeministrit Haradinaj. Jam optimist se ai do të lirohet së shpejti”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Kosovës për vitin 2017, ndërsa në ditët e ardhshme ai do të qëndrojë për një turne në Azi ku do të vizitojë disa disa shtete.

 
 

Foto Galeria