3689 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministri Pacolli në Washington, krenar me vlerën e bashkëjetesës së religjioneve në Kosovë

Washington, 18 korrik – Zëvëndësministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, me ftesën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, të enjtën, në Washington, ka marrë pjesë në Ministerialin e Lirive Fetare ku po diskutohet mbi liritë fetare në botë.

 

Pas hapjes së Ministerialit nga Sekretari Pompeo, i cili shprehu mbështetjen Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë iniciativë të rëndësishme, shefave të diplomacive të shteteve nga e mbarë bota u është drejtuar edhe ministri Pacolli, i cili në fjalimin e tij ka paraqitur mozaikun multietnik dhe multifetar të Kosovës.

 

“Liria fetare është një parim që ka rëndësi për ne, për shkak të historisë sonë, trashëgimisë sonë dhe të ardhmes sonë. Në rrugëtimin tonë përpara, ne duhet të shohim përsëri në traditën tonë të gjatë të bashkëjetesës paqësore midis feve të ndryshme. Ne, myslimanët, katolikët, ortodoksët, protestantët, hebrenjtë dhe shumë komunitete të tjera jetojmë së bashku në harmoni dhe bashkëjetesë”, tha ministri Pacolli.

 

Kushtetuta e Kosovës, tha z.Pacooli, promovon praktikimin e pakufizuar të besimit dhe i jep trajtim të barabartë të gjitha feve në Kosovë dhe pasuesve të tyre. Ai tha se Republika e Kosovës ka përfshirë instrumentet e Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës si pjesë e sistemit të saj ligjor.

 

“Aktualisht Parlamenti ynë është duke punuar për të miratuar një ligj modern mbi liritë dhe të drejtat fetare që i imponon këto instrumente ndërkombëtare dhe parimet tona kushtetuese në legjislacionin kombëtar”.

 

Ministri i Punëve të Jashtme gjatë fjalimit të tij i njoftoi të pranishmit se Kosova po krijon mekanizma institucionalë shtesë që do të forcojnë angazhimin e Qeverisë me të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë.

 

“Kosova është një shembull në rajon dhe më gjerë në lidhje me tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën e religjioneve. Ne do të promovojmë këtë vlerë dhe trashëgiminë e Kosovës dhe jemi të lumtur ta ndajmë atë në mbarë botën. Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë Amerikane për të adresuar rëndësinë e lirive fetare dhe për të marrë iniciativa të përbashkëta me partnerët tanë”.

 

Vlen të theksohet se Kosova po përfaqësohet në mënyrë të privilegjur në Ministerialin për Liritë Fetare. Ministri Pacolli përpara takimit ka thënë se arritjet e Republikës së Kosovës janë të njohura gjerësisht. Ai ka falënderuar Sekretarin Amerikan të Shtetit për mbështetjen e tij dhe atë amerikane ndaj Kosovës.

 

Gjatë qëndrimit në Washington, veç pjesëmarrjes në Ministerialin e Lirive Fetare, ministri Pacolli do të zhvillojë takime bilaterale me zyrtarë amerikanë dhe homologë për të çuar përpara objektivat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Foto Galeria