3709 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 27 August 2019
  • SHARE
  • PRINT

Hapja e Ambasadës japoneze do të thellojë marrëdhëniet bilaterale Kosovë - Japoni

Prishtinë, 26 gusht 2019 - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, priti në takim Ambasadorin japonez në Vjenë, jo-rezident për Kosovë, z.Kiyoshi Koinuma, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që të dyja vendet gëzojnë, dhe për nevojën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve.



Në këtë takim u diskutua edhe vizita shtetërore që presidenti i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi do ta zhvillojë në Japoni muajin e ardhshëm, dhe për pritshmëritë për rezultatet konkrete të kësaj vizite.


Hapja e Ambasadës japoneze në Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm ishte temë diskutimi, për të cilën Zëvendëskryeministri i Parë Pacolli u shpreh i bindur që do të ndikojë pozitivisht në thellimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, dhe në të njëjtën kohë ofroi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në të gjitha etapat.


Zëvendëskryeministri Pacolli e njoftoi Ambasadorin Koinuma edhe me ecurinë e themelimit të Parkut të Biznesit Japonez, i cili do t’i ofrojë bizneseve japoneze kushte të favorshme për investime në Kosovë.


Në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, Ambasadori Koinuma e njoftoi Zëvendëskryeministrin Pacolli për iniciativën e Kryeministrit japonez, z.Shinzo Abe, për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, dhe në këtë kuadër Ambasada japoneze në Vjenë do të organizojë forumin ekonomik për promovimin e investimeve në Kosovë në fillim të muajit tetor.


Ndër të tjera, u diskutua edhe tema e dialogut me Serbinë, për të cilën Japonia është e interesuar që të mbarojë sa më parë, dhe njëherit përkrahë fuqishëm anëtarësimin e Republikës së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.


Në fund, Zëvendëskryeministri Pacolli e falënderoi Ambasadorin japonez për pritjen e mirë që Japonia i ka bërë ekipit kosovar të xhudos.

Foto Galeria