3717 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 03 September 2019
  • SHARE
  • PRINT

Ministri Pacolli takoi emisarin Palmer: Kosova mund të llogarisë si gjithmonë te SHBA-të

Zëvëndëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, është takuar të martën me të Dërguarin e Posaçëm Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Takimi është mbajtur në Slloveni, në margiinat e Forumit Strategjik të Bled-it, që është një prej konferencave më të njohura ndërkombëtare të rajonit dhe synon të shtyjë përpara zbatimin e strategjive të dizajnuara për të përballur çështje të ngutshme të kontinentit evropian dhe më gjerë.  

“Pata një takim me të Dërguarin te Posaçëm Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Unë e përgëzova z.Palmer për emërimin e tij dhe si një mik i vjetër i Kosovës në këtë pozicion të ri, do të vazhdojë të na mbështesë në të gjitha nivelet”, tha Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Duke folur për procesin e dialogut, Ministri i Punëve të Jashtme tha se dialogu është një proces i shumë i rëndësishëm dhe një mundësi për të mbyllur kapitullin e errët midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi me njohje të ndërsjellë është qëllimi i vetëm, asgjë më pak, dhe se Republika e Kosovës vlerëson pozicionin e fuqishëm të Uashingtonit për ketë synim.

“Kosova mund të llogarisë si gjithmonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe ShBA duhet të llogarisë tek ne, si partnerë të përkushtuar dhe të besueshëm”, tha Ministri i Jashtmë i Kosovës.

Ditë më parë, Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka emëruar zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.

Foto Galeria