3739 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 11 October 2019
  • SHARE
  • PRINT

Reagim: Shkrimtarit Handke duhet t’i merret çmimi Nobel!

Prishtinë, 11 tetor 2019 - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shprehë shqetësimin e thellë për ndarjen e Çmimit ‘Nobel’ shkrimtarit austriak Peter Handke, përkrahësit të Sllobodan Millosheviqit, të akuzuarit për gjenocid e krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe njësi të tjera të ish-Jugosllavisë.

Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave, institucion me renome botërore, ndan çmimin prestigjioz Nobel për fusha të ndryshme bazuar në vlerësimin profesional, moral dhe etik. Mirëpo, neve gjykojmë që kësaj radhe çmimi i është dhënë njeriut të gabuar – mohuesit të gjenocidit.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës kërkon nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi një njeriu që mund të jetë gjenial si shkrimtar, por që në jetën publike është treguar mohues i të drejtave të njeriut duke dalë publikisht në anën e dikujt që më pas vdiq në Hagë si i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës u bën thirrje edhe institucioneve relevante botërore, akademive shkencore dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ngrehin zërin e tyre dhe të shprehin kundërshtimin me vendimin e Komitetit të Nobel-it.

Emri i Petar Handke në Kosovë është sinonim i së keqës, mbështetës i një pushteti shovinist. Çmimet që i ndahen një njeriu të këtillë zhvlerësojnë përpjekjet e shoqerive demokratike për një botë paqedashëse. Nuk e nderojnë asnjë institucion akademik, as Akademinë Suedeze. 

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli II, Të Drejtat dhe Liritë Themelore, Neni 21, Pika 3 thuhet: Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Prandaj, bazuar në Kushtetutën tonë, populli i Kosovës të paktën, nuk mund të ketë respekt per vepren e z.Handke, dhe ndjehet i fyer që çmimi iu nda njeriut që dikur ia uronte ferrin.      

 



 

 

Foto Galeria