Prishtinë, 1 nëntor 2019 – Marrëveshja për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, e nënshkruar në dhjetor të vitit 2017, ka hyrë në fuqi të premten dhe tashti mund ta gjeni të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës njofton se kjo marrëveshje është nënshkruar në pajtim me Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare (04/L-052), dhe se janë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për zbatimin e saj – ratifikimi dhe shkëmbimi i notifikimeve në mes të palëve nënshkruese.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje, Kosova dhe Turqia pajtohen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme kulturore - mbështetjen e artistëve të të dyja vendeve, përkrahjen e aktiviteteve të përbashkëta kulturore, promovimin e njohurive të ndërsjella në fushën e kulturës si dhe forcimin e mëtjemë të marrëdhënieve miqësore.