Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, ishte pjesë e delegacionit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare të zhvilluar në Norvegji.
Përveç takimeve me zyrtarë të lartë norvegjezë, delegacioni i kryesuar nga Kryeministri Kurti zhvilloi një bashkëbisedim edhe me përfaqësues të shoqatave, mësues të gjuhës shqipe si dhe profesionistë të shquar të fushave të ndryshme.
Takimi me mërgatën në Norvegji u zhvillua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Oslo, në kuadër të iniciativës "Dialogu me Mërgatën" që është duke e realizuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Gjatë këtij bashkëbisedimi u fol për tema të ndryshme, ku u theksua se Diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Kosovën dhe se kjo rëndësi e saj tani po reflekton edhe në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.