545 - Ministria | Ministria e Puneve te Jashtme

Skender Hyseni

Skender Hyseni

Ministër i Punëve të Brendshme

Biografia

Skender Hyseni është lindur më 17 shkurt 1955, në Podujevë.

Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në qytetin e lindjes, ndërkaq studimet universitare në Prishtinë, në degën e gjuhës dhe letërsisë angleze. Pas përfundimit të studimeve universitare z. Hyseni vëmendjen e tij e ka përqendruar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme dhe sistemeve politike. Ka qëndruar për studime të shkurta në Bloomsburg State College, SHBA (1978) dhe në Universitetin e Aberdinit, Skoci (1986).

Angazhimin e tij politik z. Hyseni e ka filluar me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1989, për tu angazhuar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) më 1992, si gazetar dhe përkthyes. Ka qenë njëri nga redaktorët dhe bashkëthemeluesit e Kosova Daily Report (buletin lajmesh në gjuhën angleze).

Pas zgjedhjes së Dr. Rugovës, president i Kosovës më 1992, z. Hyseni i bashkëngjitet ekipit të ngushtë të tij, për t’u bërë njëri nga këshilltarët e tij kryesorë në prag të konferencës së Rambujesë, ku ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës. Pas luftës së Kosovës, z. Hyseni ka vazhduar të jetë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, si këshilltar i parë i presidentit Rugova, deri në vdekje të këtij të fundit. Ka vazhduar të jetë këshilltar kryesor politik edhe i Presidentit Fatmir Sejdiu.

Anëtar i të gjitha delegacioneve të Kosovës në bisedimet për status, Skënder Hyseni, njëherazi edhe zëdhënës i Ekipit Negociatior të Kosovës, në zgjedhjet 2007 për Parlamentin e Kosovës është zgjedhur drejtpërsëdrejti deputet i këtij Parlamenti. Ndërkaq, në seancën e parë të këtij kuvendi është zgjedhur ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Është anëtar i kryesisë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ka qenë anëtar i komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ka hy në fuqi më 15 qershor 2008.

Më 3 prill 2008, z. Hyseni është zgjedhur ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës. Detyrën e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës e ka përfunduar me 18 tetor 2010. Po këtë vit zgjidhet deputet dhe anëtar i Komisionit Për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me 9 dhjetor 2014, z. Hyseni zgjidhet Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga akademik Isa Mustafa.

Zoti Hyseni është i martuar me Znj. Drita Hyseni (drejtoreshë shkolle në Prishtinë) dhe ata kanë katër fëmijë: dy vajza dhe dy djem.