2378 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 26 July 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli: Kosova shembull në rajon dhe më gjerë në lidhje me tolerancën dhe bashkëjetesën ndër-fetare

Uashington D.C., 26 Korrik 2018 – Kosova është dhe mbetet një shembull në rajon dhe më gjerë në lidhje me tolerancën dhe bashkëjetesën ndër-fetare. Ne, do ta promovojmë këtë vlerë dhe trashëgimi të Kosovës dhe jemi të lumtur ta ndajmë këtë përgjatë botës.

Kështu ka thënë Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z Behgjet Pacolli, në adresimin e tij ministerialit të parë për avancimin e Lirive Fetare në botë, që po i zhvillon punimet në Uashington D.C., dhe nikoqir i të cilit është Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. 

“Kosova është një vend, që udhëhiqet nga parimet dhe vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe liria. Liria fetare është një parim që ka rëndësi për ne, për shkak të historisë, trashëgimisë tonë dhe të ardhmes tonë.”, ka thënë kryediplomati kosovar.

“Myslimanët, të krishterët, ortodoksët, protestantët, hebrenjtë dhe shumë komunitete tjera jetojnë së bashku në harmoni dhe bashkëjetesë. Harmonia ndër-fetare është parim, për të cilin jemi kujdesur me shekuj dhe nuk kemi lejuar që ideologjitë dhe sistemet politike ta thyejnë atë”, ka shtuar Ministri i Jashtëm, Pacolli.

Në vazhdim të fjalimit të tij, ai ka folur edhe për Kushtetutën moderne të Kosovës sa i përket ndarjes së çështjeve shtetërore nga ato fetare; promovimit të drejtave dhe lirive të njeriut, atyre politike, sociale dhe kulturore në përputhje me instrumentet e Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës; procesin e miratimit të Ligjit modern për liritë dhe të drejtat fetare; idenë për themelimin e një Zyre për Komunitetet Fetarebrenda zyrës së Kryeministrit dhe Iniciativën ndër-fetare në Kosovë, me qëllim të krijimit të mundësive për komunitetet, që ato të ndër veprojnë në mes vete.

“Kosova e ka një traditë unike të tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare dhe kjo traditë — shprehet në trashëgiminë tonë kulturore, në objekte, në vlerat arkitekturore nëpër Kosovë; dhe kjo është dëshmia më e mirë, që ne kemi jetuar së bashku me shekuj”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli, duke shprehur gatishmërinë, që të jetë nikoqir i konferencës së ngjashme ndër-fetare të radhës në rajonin tonë.

Ministeriali në Uashington D.C., ka mbledhur së bashku përfaqësues të lartë nga vende të ndryshme, përfshirë Ministra të Jashtëm, ata nga Organizatat Ndërkombëtare, udhëheqësit fetar, përfaqësues nga shoqëria civile, për të diskutuar sfidat, identifikojë rrugët konkrete për të luftuar persekutimet fetare dhe diskriminimin dhe për të siguruar respekt më të madh për liritë fetare për të gjithë.

Hapja e Miniterialit u bë nga Zëvendës-Presidenti amerikan, Mike Pence dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

 

Foto Galeria