2382 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 23 July 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli priti Kryeministrin Haradinaj, vlerësohet puna në diplomacinë e Kosovës

Prishtinë, 23 korrik 2018 – Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj, me të cilin kanë diskutuar për aktivitetet dhe sfidat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

 

Ministri i Jashtëm Pacolli e ka informuar Kryeministrin Haradinaj për aktivitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, planet dhe sfidat me të cilat po përballet ky dikaster qeveritar.

 

“Temë e diskutimit ka qenë Ligji i ri i Shërbimit të Jashtëm, sfidat sikurse lobimi për njohje të reja, marrëdhëniet me shtetet që nuk na kanë njohur, proceset integruese, anëtarësimin në Interpol dhe UNESCO dhe organizata të tjera”, ka thënë Pacolli.

 

Ai po ashtu ka thënë se është diskutuar edhe për synimet e MPJ-së për integrim gjatë këtij viti dhe vitin tjetër. “Po ashtu kemi biseduar për përgatitjet që po bëhen me rastin e kryesimit nga Kosova të Presidencës të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore”.

 

Nga ana tjetër, Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se për politikën e jashtme të Republikës së Kosovës përkundër sfidave, ka një unitet të plotë, ndërsa e ka vlerësuar lartë kontributin e ministrit Pacolli.

 

Haradinaj ka thënë se për politikën e jashtme është punuar gjatë dhe është një temë e rëndësishme. Tani, sipas tij, beteja diplomatike për Kosovën është bartur edhe tek shtetet e largëta.

 

“Jemi të sfiduar shumë, por përkundër kësaj, MPJ dhe ministri Pacolli kanë bërë punë të mrekullueshme. Kemi projekte dhe plane konkrete. Në temat e politikës së jashtme jemi unik”, ka thënë Kryeministri Haradinaj

Foto Galeria