2385 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 20 July 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli priti homologun maqedonas Dimitrov, marrëdhëniet në mes dy vendeve shembull i bashkëpunimit në rajon

Prishtinë, 20 korrik 2018 – Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim të veçantë homologun e tij nga Republika e Maqedonisë, Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Nikolla Dimitrov, në vizitën e tij të parë në Kosovë që prej se ka marrë mandatin e tij.

 

Në takimin dy-palësh është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale me prioritet, që Kosova ka me Republikën e Maqedonisë, rolin e Maqedonisë dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme, bashkëpunimi në shumë fusha, si dhe koordinimin e të ardhmes së përbashkët euro-atlantike të dy shteteve.

 

Duke e uruar homologun e tij maqedonas për arritjen e Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit mbi emrin me Greqinë dhe pranimin e ftesës për tu bërë anëtare e NATO-s, Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i jashtëm, Pacolli, ka vlerësuar se këto takime si ato edhe të nivelit më të lartë shtetëror në gjitha nivelet dëshmojnë për një stad cilësor të institucionalizimit të marrëdhënieve mes institucioneve të të dyja vendeve dhe mund të shërbejnë edhe si shembull bashkëpunimi në rajon.

 

“Kosova, natyrshëm, i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë dhe vlerëson se ato janë në nivel mjaft të mirë. Konstatojmë se edhe Maqedonia natyrshëm i konsideron si mjaft të mira marrëdhëniet me ne dhe se dy palët kemi shprehur vullnet pozitiv për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ne kemi arritur të nënshkruajmë 21 Marrëveshje në mes dy vendeve. Kemi në proces 4 nisma të reja dhe disa Memorandume ”, ka thënë Pacolli.

 

Theks të veçantë, në takim i është dhënë ngritjes së bashkëpunimit ekonomik, turizmit, bashkëpunimit doganor, aspekteve të shëndetësisë, si dhe mundësive të reja për zhvillimin e dy Republikave.

 

Më tej, numri dy i Qeverisë, Pacolli, ka theksuar nevojën e përkrahjes së mëtutjeshme të Republikës së Maqedonisë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave edhe pas rekomandimit pozitiv nga KE.

 

Nga ana tjetër, Ministri e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, z. Nikolla Dimitrov, ka vlerësuar, gjithashtu nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë e palës maqedonase për vazhdimin dhe rritjen e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit reciprok.

 

Në vazhdim, ai ka uruar homologun kosovar për rekomandimin pozitiv të KE-së për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë e tij që të ndihmojë në shtyrjen e këtij procesi përpara.

 

Gjatë takimit është diskutuar edhe mbi masat mbrojtëse, respektivisht taksën doganore që Qeveria e Kosovës morri pak ditë më herët ndaj importit të disa produkteve nga Maqedonia dhe për kohën e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët në mes dy Qeverive, e cila pritet të mbahet së shpejti.

 
 

Foto Galeria