2425 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 20 June 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli vizitë në Holandë, mbështetja holandeze për liberalizimin e vizave e rëndësisë së veçantë

Hagë, 20 Qershor 2018 – Në vazhdim të turneut të tij diplomatik vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me qëllimin e sigurimit të mbështetjes për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimit të vendit në Organizata Ndërkombëtare, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës

 

Kryediplomati kosovar, Pacolli, së pari është pritur në një takim të veçantë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretësisë së Holandës, nga homologu i tij holandez, Stef Blok.

 

Në margjina të këtij takimi dypalësh, Ministri i Jashtëm kosovar, Pacolli, fillimisht ka falënderuar Ministrin e Jashtëm holandez, Blok, për mbështetjen konsistente holandeze në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës; ka shprehur zotimin për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në mes dy vendeve dhe dy popujve në të gjitha fushat e interesit reciprok, ndërkohë që ka kërkuar mbështetjen holandeze për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe vazhdimin e pëkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe Organizata të tjera Evropiane dhe Ndërkombëtare.

 

“Na nevojitet përkrahja Juaj për anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare dhe siç e dini, një nga çështjet primare për qytetarët e Kosovës është Liberalizimi i Vizave. Në lidhje me Liberalizimin e Vizave, mund t'ju siguroj se të gjitha kriteret janë përmbushur. Qeveria e Kosovës është e bindur se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Komisioni do të vlerësojë pozitivisht përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do të ishim mirënjohës për mbështetjen e shteteve anëtare në përfundimin e suksesshëm të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht kur është fjala për votimin në Këshillin e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme”, ka thënë kryediplomati kosovar.

 

Zbatimi i MSA-së; Agjendës Evropiane të Reformave; synimi i vendit tonë që të aplikojë për statusin e kandidatit në BE në një të ardhme të afërt; Strategjia e re për Zgjerim e BE-së; Procesi i Berlinit; Samiti i fundit në Sofje e ai i ardhshëm në Londër dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat e tjera të diskutimit.

 

Në fund, kryediplomati kosovar i ka përcjellur një falenderim të veçantë kryediplomatit holandez për mbështetjen holandeze nëpërmjet programeve të ndryshme në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në diplomaci, sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë atë të sigurisë si dhe programet tjera të Qeverisë holandeze, që kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

 

Në linkun e mëposhtëm, ju lutem gjeni pamjet video nga vizita zyrtare e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, në Mbretërinë e Holandës.

 

Ju rikujtojmë se gjatë vizitës në Mbretërinë e Holandës, kryediplomati kosovar, Pacolli, është takuar me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm, Stef Blok, dhe me Komisionin mbi zgjerimin e BE-së në Parlamentin holandez, nga të cilët ka kërkuar mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si dhe anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike dhe Organizatat Ndërkombëtare.

https://youtu.be/nNUoxTlfvsw

 
 

Foto Galeria