2429 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 18 June 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli pret Ambasadorën e Izraelit, i kërkon ri-shqyrtimin e njohjes së Kosovës

Prishtinë, 18 Qershor 2018 – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëvë të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim pune në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasadoren e Izraelit, Alona Fisher Kamm.

 

Me këtë rast, kryediplomati kosovar Pacolli dhe diplomatja izraelite, Fisher Kamm, kanë diskutuar mbi nivelin e përgjithshëm të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe dy popujve si dhe gjetjen e formave për shtimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit.

„Jam i lumtur, që sot jam takuar me Ambasadoren e Izraelit për t’i diskutuar lidhjet tradicionale në mes dy popujve dhe dy vendeve. Kosova është mik i Izraelit dhe ne e konsiderojmë Izraelin mik të Kosovës. Ne, jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, në veçanti në ekonomi, siguri dhe edukim“, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës.

Në vijim të takimit, Ministri i Jashtëm, Pacolli, i ka kërkuar diplomates izraelite, që Izraeli ta ri-shyrtojë njohjen e Kosovës.

„Ne, i kërkojmë Izraelit që ta njoh Kosovën. Izraeli tashmë është vonë në lidhje me këtë çështje. Të gjithë aleatët e Izraelit e njohin Kosovën dhe nuk ka arsye pse Izraeli nuk po e merr këtë vendim“, ka thënë Ministri Pacolli.

Më pas, ai ka shprehur edhe interesimin e Republikës së Kosovës për të hapur Zyrën Ekonomike të Kosovës në Izrael si dhe organizimin e një Forumi të Përbashkët Ekonomik në mes dy vendeve, që do t’i bashkonte përfaqësuesit e biznesit.

Ministri i Jashtëm Pacolli i ka kërkuar mysafirës nga Izraeli edhe mbështetjen e shtetit të saj për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

 

Foto Galeria