2442 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 05 June 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli takon raportuesin për Kosovën, Igor Soltes, diskutojnë mbi raportet Kosovë-BE dhe liberalizimin e vizave

Prishtinë, 5 Qershor 2018 – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim pune në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, i cili ishte i shoqëruar edhe nga stafi tjetër përcjellës nga Parlamenti Evropian.

 

Në kuadër të këtij takimi, kryediplomati kosovar, Pacolli, fillimisht e ka uruar parlamentarin evropian për mandatin e tij, përderisa ka shprehur mirënjohje edhe për punën dhe angazhimin e paraardhëses së tij.

Më pas, Ministri Pacolli e ka njoftuar, z. Soltes, në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë mbi punën dhe angazhimin e Institucioneve të Republikës së Kosovës në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendës së Reformave Evropiane si dhe mbi përmbushjen kritereve të fundit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është e bindur se pas ratifikimit të Marrëveshjes mbi Demarkacionin me Malin e Zi, Komisioni Evropian do të vlerësojë pozitivisht përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. ”, ka thënë Pacolli.

Në margjina të këtij takimi numri dy i Qeverisë ka shprehur edhe synimin e Republikës së Kosovës, që të aplikojë për statusin e kandidatit në të ardhmen e afërt, ndërkohë që ka bërë thirrje për mbështetjen e Parlamentin Evropian tek shtetet jo-njohëse të BE-së dhe për përkrahje në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare.

Nga ana e tij, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, z. Soltes, ka vlerësuar progresin e gjithmbarshëm të arritur nga ana e Institucioneve të Kosovës mbi implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendës së Reformave Evropiane si dhe përkushtimin në lidhje me përmbushjen e kritereve të fundit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. 

 

Foto Galeria