2443 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 05 June 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm dhe numri dy i Qeverisë, Behgjet Pacolli, pret në selinë e ministrisë së jashtme, ish Kryeministrin italian, Massimo D’Alema

Prishtinë, 5 Qershor 2018 – “Ende i kam në mendje fjalët tuaja në funeralin e Presidentit Rugova: ai vdiq pa e parë të realizuar ëndrrën e tij, Kosovën e çliruar dhe të pavarur”, i tha Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, mysafirit të tij, ish Kryeministrit italian të kohës së luftës së Kosovës, Massimo D’Alema.

 

 Italia ka qenë dhe do mbetet gjithmonë në krah të Kosovës, pohuan dy burrështetasit në takimin e tyre të parë në Prishtinë. 

D’Alema, mysafir i ministrit, e falënderoi kryediplomatin kosovar për mikpritjen dhe i tha se “fati e ka dashur, që ai të jetë protagonist në dy ngjarje të rëndësishme të historisë së Kosovës-- lufta për çlirimin e saj, dhe si ministër i jashtëm drejtoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur u mor në shqyrtim hipoteza e pavarësisë së saj”. 

Ministri Pacolli kujtoi momentet e organizimit të fushatës mediatike kundër pastrimit etnik serb, në vitin 1999 apo dhe ndihmës humanitare për kampet e të shpërngulurve në Shqipëri, në Mal të Zi, etj. 

Ish kryeministri D’Alema vlerësoi progresin e Kosovës në vitet e fundit. 

Midis dy politikanëve më pas u diskutua për bashkëpunimin e Kosovës me Italinë dhe rrugët e forcimit të këtij bashkëpunimi, duke konsideruar “emrin e mirë të Italisë, të shoqërisë, të institucioneve, të kontingjentit italian brenda KFOR-it, tek popullsia civile, etj.” 

Duke diskutuar për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ish Kryeministri D’Alema tha se “shumë hije të së kaluarës do të zhduken me një marrëveshje të drejtë të Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.” 

Më pas, ministri Pacolli dhe ish Kryeministri italian D’Alema përshkruan shëtitoren “Nënë Tereza”, në këmbë. 

Ish Kryeministri dhe ministri i jashtëm i Italisë, Massimo D’Alema po qëndron sot dhe nesër në Kosovë, me ftesë të kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli. 

Ai, konsiderohet si njëri nga politikanët më jetëgjatë në Itali: afro 30 vjet deputet, drejtues i një partie të rëndësishme dhe sot është konsulent ndërkombëtar i profilit të lartë.

 

Foto Galeria