2455 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 24 May 2018
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Berisha ka shoqëruar Kryeministrin Haradinaj në vizitën zyrtare në Selinë e Shenjtë

Vatikan, 24 maj - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka shoqëruar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në vizitën zyrtare në Selinë e Shenjtë, ku janë pritur në audiencë nga Shenjtëria e tij, Papa Françesku, si dhe janë takuar me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin.

Zëvendësministri Berisha ka vlerësuar se kjo vizitë është arritje e madhe për politikën dhe diplomacinë kosovare, si dhe një mundësi e mirë për avancimin e proceseve integruese euroatlantike.

 

“Kryeministri Haradinaj me një maturi të jashtëzakonshme, respekt dhe me përmbajtje që i ka hije një burrështetasi, në të dy takimet, ka nderuar popullin e Kosovës dhe besoj se i ka hapur rrugën asaj drejt bashkimit të popullit shqiptar në familjen evropiane dhe drejt krijimit të një klime që të gjithë kombet e rajonit të jetojnë në paqe dhe prosperitet”, ka thënë Berisha.

 

Gjatë vizitës, zëvendësministri i Jashtëm Berisha, njëherësh i ngarkuar për raportet me Vatikanin, bashkë me kryeministrin dhe stafin e tij ka prezantuar Kosovën duke marrë bekimin nga vet Shenjtëria e Tij, Papa Françesku.

 

“Ashtu siç i tha kryeministrit: “Popullin e Kosovës e kam në zemër”, Papa Françesku na u drejtua me fjalët: “lutuni edhe ju per mua”.

Paqja, toleranca, dashuria, luftimi i varfërisë dhe respektimi i dinjitetit të çdo personi janë parimet që krijojnë një shoqëri civilizuese në shërbim të çdo qytetari. Bashkëjetesa në dallime ishte porosia për modelin që duhet ndërtuar në shtetin e Kosovës dhe në rajon, model që është dëshmuar në Bashkimin Evropian”, ka thënë zëvendësministri Anton Berisha.

 
 

Foto Galeria