2459 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 21 May 2018
  • SHARE
  • PRINT

MPJ në shërbim të komunave për promovim përmes diplomacisë ekonomike

Prishtinë, 21 maj 2018 - Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi ka vizituar Komunën e Skënderajt dhe Komunën e Vushtrrisë ku është pritur nga kryetarët e këtyre komunave,  Bekim Jashari dhe Xhafer Tahiri.

 

I shoqëruar nga Drejtor i Departamentit për Diplomaci Ekonomike, Guner Ureya dhe Zyrtari i Lartë për Promovimin e Investimeve, Gëzim Gashi, Zëvendësministrja Vuniqi, kryetarëve në fjalë u ka prezantuar mundësitë për promovimin e komunave përmes diplomacisë ekonomike të Republikës së Kosovës.  Vuniqi ka thënë që në 38 pika të botës janë funksionale misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, dhe se në misione janë caktuar edhe diplomatë të ngarkuar me fushën e diplomacisë ekonomike. Ajo tha se Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës së bashku me të gjitha këto misione janë në dispozicion edhe për të promovimin e komunave,  sidomos për promovimin e mundësive për investime në këto komuna. 

Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike, Guner Ureya ka dhënë detaje rreth organizimit të diplomacisë ekonomike të vendit. Ai ka nënvizuar nevojën në prodhimin sa më shumë të materialeve promovuese për komunat. 

Ndërkohë, në të dy takimet, kryetarët e komunave kanë folur për potencialet e tyre si dhe nevojën për tërheqjen sa më shumë të investimeve të huaja në Skënderaj, respektivisht Vushtrri. Në takim është biseduar edhe për nevojën për koordinim sa më të mirë të institucioneve qendrore dhe atyre lokale, sidomos për aktivitetet që ndërlidhen me akterët jashtë vendit. 

Zëvendësministrja Vuniqi ka ofruar mundësinë e trajnimit të personelit të komunave nga Ministria e Punëve të Jashtme, si për organizimin e protokollit të komunave, ashtu edhe për fushat tjera me interes të komunave. 

Në takim është arritur pajtimi për intensifikimin e komunikimit të drejtorive për ekonomi të komunave me Departamentin për Diplomaci Ekonomike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kjo me qëllim të arritjes së efikasitetit në marrëdhëniet me jashtë.  

 

Foto Galeria