2471 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 06 May 2018
  • SHARE
  • PRINT

Hapje misionesh të reja diplomatike në vende të rëndësishme dhe me ndikim në pellgje të rëndësishme gjeografike, lobim për Interpol dhe njohje të reja- temat e takimeve të z. Pacollit. Ai, adresoi dhe konferencën me një fjalim në emër të Republikës së Kosovës

Daka 6 Maj, 2018 – Vijoi dhe sot aktiviteti i ngjeshur diplomatik i zëvendëskryeministrit të parë dhe shefit të diplomacisë së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, në Daka, Bangladesh, në kuadër të ministerialit të kryediplomatëve të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

 

 Vijojnë takimet e numrit dy të qeverisë dhe ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli, në kuadër të Konferencës së nivelit të lartë të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në Daka, Bangladesh. 

Ai, u takua edhe njëherë me Kryeministren e Bangladeshit znj. Sheikh Hasina dhe me zonjën Chrystia Freeland, Ministren e Punëve te jashtme të Kanadës ku u bisedua për disa iniciativa të përbashkëta për Kosovën. 

Ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, u takua dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OBI-it, Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen. Ministri Pacolli kërkoi që Kosova të marrë statusin e vëzhguesit brenda kësaj Organizate, me synim që t’i shërbejë paqes, dhe të zhvillojë marrëdhënie miqësore me këtë pjesë të rëndësishme të botës. 

Sekretari i përgjithshëm Othaimeen premtoi se mbledhja e ardhshme do ta shqyrtojë si rast të veçantë statusin e Kosovës, ndonëse në Kartën themeluese të OBI, pjesëtarët e OBI-t duhet të jenë dhe anëtarë të OKB-së. 

Po ashtu, në ditën e dytë të punimeve, shefi i diplomacisë kosovare u takua me zëvendësministrin e punëve të jashtme të Egjiptit. Në takim u diskutua për marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe kërkesën e Kosovës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. 

“Kosova është gati të hapë ambasadën e saj në Kairo”, tha ministri Pacolli. Kërkesa e tij u vlerësua nga bashkëbiseduesi, i cili shprehu gatishmërinë për të konsideruar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. 

Po sot, Ministri i jashtëm adresoi forumin e përbërë nga dhjetra ministra të jashtëm të organizatës së dytë ndërkombëtare më të madhe në botë, pas OKB-së, me 56 anëtarë dhe numër të madh shtetesh vëzhgues. Në fillim të fjalës së tij, z. Pacolli falënderoi mikpritësit, institucionet e Bangladeshit, vend që e ka njohur Kosovën, veçanërisht për solidaritetin ndaj popullsisë Rohinga, që po i nënshtrohet kohëve të fundit njëlloj spastrimi etnik ”dukurie që ne si popull e kemi provuar gjatë konfliktitt të 1999”. Ministri i jashtëm kosovar i kërkoi 20 vendeve anëtare jo njohëse të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik ta njohin Kosovën, krahas 36 shteteve, që e kanë bërë këtë hap gjatë dhjetë viteve. 

Duke ilustruar përparimin e bërë nga Kosova prej pavarësisë e këtej, në shtet ndërtim, në zhvillimin ekonomik, etj, shefi i diplomacisë kosovare tha se vendi mbetet i angazhuar për rrugën europiane dhe po përparon në marrëdhëniet me Bashkimin Europian, si projekti më i sigurt. Ai, tha se Kosova është përkushtuar gjithashtu, në mbylljen e kapitullit të negociatave me Serbinë, që do të kulmojë me një Marrëveshje paqeje. 

Ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, i bëri thirrje vendeve anëtare ta mbështesin Kosovën në anëtarësimin në Interpol, si shërbim për luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe dukurive të tjera që kërcënojnë rendin publik, etj. 

Ministri i jashtëm i Kosovës, u takua gjithashtu me Ministrin e Shtetit të Kamerunit Adoum Gargoum, me Ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Ugandës Philemon Mateke, me zëvendësministrin e Jashtëm të Venezuelës Felix Gonzalez, ministrin e Shtetit të EBA-s, Anwar Gargash, me kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Bangladeshit, Dipu Moni, ish-ministre e jashtme e Bangladeshit. 

Ai, u takua, gjithashtu edhe me kryesues delegacionesh të Sudanit, Irakut, Malit, etj

 

Foto Galeria