2478 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 02 May 2018
  • SHARE
  • PRINT

Komunikatë për media në lidhje me aksidentin e trafikut të autobusit që kishte shtetas të Republikës së Kosovës në qytetin Kurshumli të Serbisë

Prishtinë, 2 maj 2018 – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është njoftuar nga Zyra Ndërlidhëse Diplomatike e Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë - Beograd se sot ka pasur një aksident trafiku të një autobusi të linjës Prizren-Kranj në afërsi të qytetit Kurshumli, Republika e Serbisë.

 

 Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmjet kanaleve të saj zyrtare ka përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë aksident, përfshirë lëndimet e udhëtarëve. 

Ministria e Punëve të Jashtme, sipas informacioneve të fundit konfirmon se vetëm dy shtetas të Republikës së Kosovës ende mbeten të hospitalizuar në Qendrën Klinike Spitalore në Nish, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda të natyrës ortopedike, por me gjendje shëndetësore stabile. 

MPJ njofton se të gjithë udhëtarët e tjerë janë liruar nga spitali pas trajtimit të nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. 

Ministria e Punëve të Jashtme do të përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë aksident të trafikut dhe do t’ju mbajë të informuar me kohë. 

Të lënduarit do të vizitohen nga përfaqësuesit e Zyrës Ndërlidhëse Diplomatike të Republikës së Kosovës në Beograd.

Foto Galeria