2482 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 27 April 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli po merr pjesë në punimet e procesit Bërdo-Brione, zhvillon takime të nivelit të lartë

Shkup, 27 Prill 2018 - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, me ftesë të Presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, po merr pjesë në punimet e procesit të Bërdo – Brione.

 

 Gjatë qëndrimit të tij në punimet e këtij procesi Ministri i Jashtëm, Pacolli po diskuton me Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse lidhur me zhvillimet në rajon, rrugën në procesin e integrimeve evropaine si dhe lidhur me zhvillimet e gjithmbarshme ndërkombëtare. 

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Pacolli gjatë diskutimeve me homologet e tij nga rajoni ka theksuar përkushtimin e Institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar në rrugën e integrimeve evropiane, sidomos tani, pas qartësimit të procesit të integrimeve, që nga publikimi i Strategjisë së re të zgjerimit nga Komisioni Evropian. 

Kryediplomati kosovar, gjithashtu ka ritheksuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të kontribuar në zhvillimin e fqinjësisë së mirë. 

Në punimet e procesit të Bërdo – Brione të organizuar nga Republika e Maqedonisë në cilësinë e Presidencës së radhës, përveç Presidentëve dhe Ministrave të Punëve të Jashtme të rajonit po merr pjese edhe Presidenti i Këshillit të BE-së, z. Donald Tusk. 

Procesi i Bërdo-s u iniciua zyrtarisht nga takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo afër Kranjit më 20 mars 2010. Si një nismë rajonale jo-formale, procesi mori emrin "Procesi i Bërdo-s", sipas vendit të mbajtjes. 

Qëllimi i krijimit të kësaj nisme rajonale ishte forcimi i lidhjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që bashkëpunimi i forcuar në rajon të ndihmojë progresin e saj më të shpejtë drejt integrimit evropian.

 

Foto Galeria