2486 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 25 April 2018
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendës ministrja Vuniqi kërkon mbështetjen e Luksemburgut për liberalizimin e vizave për Kosovën, konfirmon përmbushjen e kritereve

Prishtinë, 25 prill 2018 – Zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Luksemburg, ka zhvilluar takime të rëndësishme me autoritetet e shtetit të Luksemburgut.

 

 Zëvendës ministrja Vuniqi është pritur në takim nga drejtoresha për Punë Evropiane dhe marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare të Luksemburgut, Michele Eisenbarth, si dhe nga Drejtori për bashkëpunim dhe zhvillim ndërkombëtare dhe aksion humanitar, Manuel Tonnar. 

Fokusi i diskutimeve në këto takime ka qenë mbështetja e Luksemburgut në rrugëtimin euro-integrues të Kosovës, me theks të veçantë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare. 

Numri dy i Ministrisë së Punëve të Jashtme Vuniqi, ka kërkuar nga autoritetet e Luksemburgut mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi siç iu ka thënë ajo, Kosova ka përmbushur edhe kriterin e fundit, atë të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si dhe është duke u angazhuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Vuniqit, Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret e parashtruara nga Bashkimi Evropian dhe me të drejtë pritet që shtetet e BE-së, e në këtë rast Luksemburgu të angazhohet për lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në BE. “Pas miratimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, ne presim që Komisioni të njoftojë Këshillin rreth implementimit të kritereve për liberalizimin e vizave. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi mbështetjen tuaj”, u ka thënë Vuniqi autoriteteve të Luksemburgut. 

Në takime, Vuniqi ka kërkuar mbështetjen e Luksemburgut edhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe është kërkuar përkrahje edhe në aspektin e lobimit për më shumë njohje të shtetit të Kosovës.

 

Foto Galeria