2487 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 24 April 2018
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendës ministrja Vuniqi në Forumin Ekonomik në Luksemburg, fton bizneset të investojnë në Kosovë

Prishtinë, 24 prill 2018 – Zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi ka marr pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik “Kosova dhe Luksemburgu, mundësitë për sinergji të bizneseve”, të mbajtur në Luksemburg, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Luksemburgut.

 

 Zëvendës ministrja Vuniqi ka vlerësuar se Luksemburgu është njëri nga shtetet më mbështetëse të Kosovës. Sipas saj, ky shtet ka qëndruar karshi Kosovës në të gjitha periudhat si në mbështetjen ushtarake të pasluftës, po ashtu edhe në ndihma të tjera. 

“Tani është koha që së bashku të lëvizim marrëdhëniet tona në bashkëpunim ekonomik. Prandaj, nuk ka më mirë se të nxisim marrëdhëniet ndërmjet bizneseve, si krijues të vlerave reale të shoqërive moderne”, ka thënë Vuniqi. 

Ajo ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës është duke punuar shumë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, ndërsa ka shtuar se Kosova tanimë renditet e 40-ta në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes. 

Sipas Vuniqit, Kosova është një shtet i ri dhe dinamik, me popullsi të re dhe të kualifikuar, me burime natyrore, infrastrukturë dhe politika të favorshme fiskale, si dhe treg të madh. 

Me këtë rast, duke përmendur marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve, zëvendës ministrja Vuniqi ka ftuar bizneset nga Luksemburgu të bashkëpunojnë me bizneset nga Kosova, të përfitojnë nga mundësitë që janë krijuar. 

Në këtë Forum kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i bizneseve nga Kosova dhe Luksemburgu.

 

Foto Galeria