2492 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 23 April 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli prezanton prioritetet dhe sfidat e Politikës së Jashtme të Kosovës në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike

Prishtinë, 23 Prill -2018 – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka marrë pjesë dhe ishte panelisti kryesor në Tryezën e Diskutimit të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, PIPS të titulluar “Politika e Jashtme Kosovare: Prioritetet dhe Sfidat”.

 

 Me këtë rast, kreu i diplomacisë kosovare, referoi mbi rolin dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile përkitazi me këtë çështje; kapitalizimin e procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës; reformat që po ndodhin në Ministrinë Punëve të Jashtme, diplomacinë ekonomike si dhe mbi fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. 

Sa i përket pikës së parë, Ministri Pacolli, ka vlerësuar kontributin e deritanishëm të shoqërisë civile mbi politikën e jashtme dhe në të gjitha fazat konsolidimit të shtetit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë që do ta ketë përfshirja dhe angazhimi i tyre edhe në të ardhmen. 

Duke folur mbi mbarëvajtjen dhe dinamikën e procesit të njohjeve, Ministri Pacolli, ka thënë se ''Kosova brenda ekzistencës së saj dhjetë-vjeçare si shtet i Pavarur dhe Sovran ka bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, duke rritur numrin e njohjeve në 117", por ka përmendur edhe sfidat, respektivisht ndryshimin e rrethanave në politikën ndërkombëtare dhe ballafaqimin me një fushatë gjithnjë e më agresive nga ana e Serbisë. 

Mbi temën e njëjtë, ai e ka konsideruar si të rëndësishme, që Kosova të fokusohet në dy drejtime: E para: të punohet me vendet, që e kanë njohur Kosovën dhe avancohen edhe më tej marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe paralelisht me këtë të punohet edhe në sigurimin e njohjeve të reja. 

Reforma tashmë e nisur në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka qenë një temë tjetër, mbi të cilën Ministri Pacolli është ndalur në prezantimin e tij. Në lidhje me këtë, ai ka përmendur Ligjin e ri për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe nevojën për ta ruajtuar ekuilibrin në mes ndikimit politik dhe diplomatëve të shërbimit të karrierës. Tutje, ai, përmendi edhe mundësinë e përfshirjes së një Akademie Diplomatike të vendeve partnere për të rivlerësuar Gradat e Karrierës. Një shtyllë të rëndësishme në politikën e jashtme të Kosovës, Ministri Pacolli e ka renditur edhe Diplomacinë Ekonomike nëpërmjet së cilës do të mund të rriteshin investimet e huaja në Kosovë ashtu si edhe krijimi i mundësive të reja për bizneset vendore në raport me shtetet tjera. 

Sa i përket fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një Marrëveshje të detyrueshme ligjore, Ministri i Jashtëm Pacolli ka thënë se ky proces duhet të mbështetet në tri elemente: Të ketë një kornizë të qartë kohore; të jetë tematik dhe të përfundojë me njohje të ndërsjellë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Sipas kryediplomatit kosovar, Plani Ahtisaari duhet të shihet si maksimumi i koncesioneve të bëra nga ana e Kosovës. 

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, znj Vjosa Osmani, anëtarë të këtij Komisioni, përfaqësues nga Presidenca, një pjesë e Ambasadorëve nga Kori Diplomatik i akredituar në Prishtinë, përfaqësues të Organizatave të ndryshme nga Shoqëria Civile si dhe ekspert të politikës së jashtme.

 

Foto Galeria