2496 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 20 April 2018
  • SHARE
  • PRINT

Vijon vizita e ministrit të jashtëm të Kosovës në Sofje: takim me shefen e Komisionit të Politikës së jashtme të Kuvendit të Bullgarisë dhe pjesëmarrje në Forumin e Odave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve

Sofje, 20 Prill 2018 - Pas takimit në Kuvendin e Republikës së Bullgarisë, me shefen e Komisionit të Jashtëm, znj Xhema Grozdanova, ku u theksua mbështetja bullgare për procesin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe nevoja e forcimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar, ministri i jashtëm i Kosovës Pacolli vijoi vizitën në Sofje, me takime të tjera.

 

 “Po bëjmë diplomaci me vendet e largëta dhe duhet të rrisim bashkëpunimin me ju që jeni fqinjët tanë. Kosova është afër dy Korridoreve 8 dhe 10 dhe ne duhet të përmirësojmë infrastrukturën tonë. ”, ka thënë Zaharieva. 

Pacolli: Mos mendoni se tregjet tona janë të tkurrura, ka shumë hapësirë për investime dhe bashkëpunim. 

Kështu, dy homologët Pacolli dhe Zaharieva morën pjesë në Forumin e Biznesit të dy Odave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve, “një ide e lindur gjatë vizitës së zonjës Zaharieva, pak muaj më parë në Prishtinë”, tha z. Pacolli, ide që u realizua shumë shpejt. 

Presidenti i Odës bullgare, Zvetan Simeonov, përshëndeti dy ministrat dhe bëri thirrje për nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve që janë kaq afër. Ai, vlerësoi integrimin europian të vendit të tij, që dha efekte të mëdha në rritjen e ekonomisë bullgare. 

Përfaqësuesi i Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hivzi Dragidella, gjithashtu shprehu kënaqësinë që dy ministrat ishin të pranishëm në këtë aktivitet. 

Ministrja bullgare e punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva, tha se “diplomacia ekonomike është shtylla e diplomacisë dhe do ishim shumë të lumtur nëse nga ky forum do lindnin ide dhe iniciativa të reja për bashkëpunim”. 

Zaharieva, tutje theksoi se si vështirësitë që ju krijuan për ndërlidhje ajrore nga Prishtina e nxitën të mendonte për përmirësimin e infrastrukturës rrugore mes dy vendeve, ndërsa Kosova është afër dy korridoreve europiane, atij 8 dhe 10, që janë kësisoj dhe korridoret e Kosovës. 

Në lidhje me këtë, Znj Zaharieva, tha se “homologu i saj, Behgjeti vjen nga rrethet e biznesit dhe ne gjetëm lëndë të mirë për të biseduar.” ”Ne, harxhojmë shumë kohë për diplomaci me vendet e largëta dhe bëjmë shumë pak për fqinjët”, është shprehur ajo. 

Ministri i jashtëm Pacolli, tha se e vlerëson shumë krijimin e marrëdhënieve ndër njerëzore prej Forumeve të tilla, sepse sipas tij “nuk ka biznes të mirë pa marrëdhënie të mira midis njerëzve të tij”. 

Ai, shtoi se duhet patur besim në “potencialin zhvillimor të biznesit në të dy vendet. Mos mendoni se tregu në Bullgari është i tkurrur, megjithëse shikoni se shumë gjëra janë në vendin e tyre. Aq më shumë në Kosovë, ku ne kemi nevojë për shumëçka dhe ka shumë punë të pakryer ende. Zgjeroni horizontin tuaj me kreativitet,” tha ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili pastaj u përshëndet me të pranishmit. 

Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve gjatë 2017 ka shënuar rritje dhe ka arritur në pothuaj 70 milion euro. 

Bullgaria me Kosovën bashkëpunojnë në fushën e përpunimit të mallrave, prodhimin e plastikës, pijeve, transportit, etj. Oda e Tregtisë dhe Industrisë e Bullgarisë është themeluar në vitin 1895. 

Ministri Pacolli gjatë vizitës së tij në​ Sofje dha intervistë dhe për seksionin shqip të Radio Sofjes.

 

Foto Galeria