2504 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 19 April 2018
  • SHARE
  • PRINT

Fjalimet e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, z. Behgjet Pacolli, dhe Kryetarit të Bashkisë së Kukësit, z. Bashkim Shehu, me rastin e nderimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli me titujt: Qytetar Nderi i Kukësit dhe Nderi i Qarkut Kukës

 Fjala e kryetarit të Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu: 



I dashur Qytetari më i ri i Kukësit, Behgjet Pacolli, 

të nderuar autoritete vendore nga Kosova dhe Shqipëria, deputetë, qytetarë nga të gjithë anët e kombit, 

Dikush mund të thotë, se pse 19 vjet më vonë, 

pas eksodit prej genocidit serb të gjysmës së kombit, Kosovës në Kukës, ne të zgjedhurit vendorë të bashkisë dhe qarkut Kukës, 

pa dallime partiake, kemi vendosur t’ju blatojmë juve me titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Kukësit”. 

Unë them se kemi shumë arsye, që juve, 

një ndërmarrës me famë globale, 

krenar për origjinën tuaj, 

i dekoruar me titullin “Nder i Kombit”, nga Presidenti i Shqipërisë, 

Qytetar Nderi i Korçës, i Lezhës, 

me nderime nga SHBA, Italia, Peruja, etj, 

pra kemi shumë arsye që t’Ju akordojmë këto tituj. 

Vepra juaj në shërbim të kombit shqiptar, në të dy anët e kufirit ka shumë lidhje me Kukësin, 

ka shumë lidhje me 16 prillin, 

ditën kur dhjetëra mijëra bashkëpatriotë tanë të Kosovës,u vendosën këtu. 

Ju, i nderuar Behgjet nuk jeni mburrur kurrë për shumë aspekte të jetës suaj. 

Po ne duhet t’jua përmendim sot në këtë ditë nderimi. 

Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare. 

Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj. 

Kompania Juaj Mabetex ka ndihmuar kampet e të ikurve në Zonën e Kukësit, ashtu si dhe ato të zhvendosurve në Mal të Zi. 

Po ju e keni ndihmuar Kukësin dhe në kohë paqeje. 

Të afërm tuaj kanë sjellë ndihma për fshatra të thellë të Qarkut tonë. 

Më lejoni të them dhe diçka për vizionin e një burrështetasi. 

Vizionin e kanë ata njerëz, ata burrështetas që shikojnë lart- më lart se Malet tona. 

Vizionin e kanë ata njerëz, ata burrështetas që shikojnë Larg- më larg se hunda jonë, po se po, por shumë larg, edhe në fund të botës. 

Ju, i dashur Behgjet po na ndihmoni me Vizionin Tuaj për rrëzimin e atyre kufijve që kanë mbetur ende mes nesh. 

Dhe do të na ndihmoni akoma më shumë kur ky Vizion të bëhet realitet. 

· Platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me Qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor. Minierat tona kanë mbajtur Shqipërinë. 

· Koncepti juaj për zhvillimin e Aeroportit të Kukësit, për kompani ajrore të përbashkët; 

· koncepti juaj për një Qendër Spitalore elitare dhe një shkollë të lartë shërbimesh mjekësore në Kukës, 

· janë shpëtimtare për këtë Zonë, të varfër, por dinjitoze. 

Tani që ju jeni në qeverisje, që bashkëpunimi me Shqipërinë është real, ne do donim që ky Vizion Juaji të bëhet realitet. 

Ja pse ne ju japim çelësin e shtëpisë sonë mikpritëse, që ju të mos e harroni Kukësin. 

Ju i dashur Qytetari ynë më i ri, e keni Vizionin. Ne thjesht duhet t’ju ndihmojmë, në Shqipëri, në Kosovë që ju ta jetësoni atë. 

Dhe meqë këtu mes nesh ka politikanë, do doja t’ju bëja thirrje ta ndiqni me vëmendje modelin e këtij njeriu, që e ka arritur gjithçka nëpërmjet punës. Ai është modest si njeri prej nesh, si një bashkëfshatari jonë. Sepse ai është njeri, sepse ai prej sot është një Kuksian. 

Falemnderit. 





Fjala e zëvendëskryeministrit të parë, dhe ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli: 



i dashur Prefekt, Kryetar i Qarkut, Kryetar i Bashkisë dhe bashkëqytetarë të mi kuksianë, kosovarë dhe nga gjithë viset ku flitet shqip, 

të dashur të zgjedhur vendorë dhe parlamentarë të Kosovës dhe të të Shqipërisë, 

Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të gjendem sërish këtu në Kukës. 

Ardhja ime në Kukës, është një dalje nga rutina e takimeve diplomatike, 

Ardhja ime këtu mes jush, kuksianëve të mirë, 

është një mbushje e thellë e mushkërive me ajrin e pastër të Gjallicës, 

me ajrin e fisnikërisë, 

të mikpritjes së zonës së Lumës, 

zonë trimash të urtë. 

Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore, 

Kukësi është Nobeli i humanizmit global; 

Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Nëse kosovarët nuk do kishin qendruar këtu, do ishin shpërndarë nëpër botë. Dhe jo të gjithë, do ktheheshin nga larg për t’i shërbyer Kosovës së Re. 

Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një Kukësian, 

që prej sot jam njeri si ju. 

Nëse do ta mendoja mirë,unë jam kukësian që më herët. PSE? 

pse jam rritur në një familje ku Mikpritja është vlera më e shenjtë. 

Nëse kam zmadhuar ndonjëherë shtëpitë ku jetoj, 

kam zmadhuar hapësirën e miqve: 

Kam disa oda miqsh: odë e vogël, odë e mesme, odë e madhe miqsh. 

Mos na lëntë zoti pa miq. 

Ju Falënderoj kryetari i Kukësit Bashkim Shehu që më propozuat që të jem njeri nga ju. 

Jam i impresionuar nga punët tuaja të mira në krye të Kukësit: më kanë thënë se keni ulur taksat në Kukës dhe keni rritur të ardhurat, se po sillni një ndërmarrje fason për vajzat dhe gratë e zonës. 

Ju falënderoj juve zotërinj të Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, që unanimisht keni votuar për mua. 

Emri im ju ka bashkuar, pavarësisht ndarjeve. Si një kuksian që jam prej sot, do ju lutesha: kapërceni ndarjet partiake, apo çdo lloj ndarjeje që keni, për t’i shërbyer më mirë këtij populli të mrekullueshëm. 

Falemnderit kryetar që i përmende disa fakte nga historia ime familjare që unë kurrë nuk i kam përmendur për të stolisur biografinë time si bëjnë rëndom në politikën e viseve tona. 

Herën tjetër thjesht dua të më përmendni se jam Punëtor i Madh dhe Mikpritës i Madh, si Lumianët, 

Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg. 

Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, 

unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës. 

Aq më shumë në kohën e lirisë që u parapri nga sakrifica, gjaku, vepra e madhe e humanizmit tuaj që e pa bota mbarë, 

unë sot e shoh si pol kombëtar zhvillimi qarkun e Kukësit, Hasin, Tropojën, të lidhur me komunat në anën tjetër,. 

Unë sot, më shumë se më parë do të angazhohem për qytetin tim, 

për krahinën time që më adoptoi si bir të vetin, 

për Kukësin! 

· Këtu ka miniera të rralla; 

· këtu ka liqene, 

· hidrocentrale, 

· bukuri natyrore, 

· këtu ka hapësirë për turizëm malor, 

· për blegtori cilësore, 

· për shkolla arësimi profesional. 

· Aeroporti i Kukësit që do të hapet së shpejti ka gjithë mundësitë që jo vetëm të jetë alternativë e Prishtinës dhe Gjakovës, por dhe të jetë një destinacion ndërkombëtar në transportin e distancave të mëdha. Unë me kolegët e mi në Qeverinë e Shqipërisë do punojmë në këtë drejtim. 

· Në shumë takime ndërkombëtare, në takime rajonale, të Bashkimit Europian, në Japoninë e Largët, por dhe me miqtë e mi këtu në Shqipëri, me Sali BErishën, Edi Ramën, Ilir Metën e Lulzim Bashën, unë po angazhohem që Lugina e Drinit të shndërrohet në një vektor komunikacioni nga më të rëndësishmit në Europë. 

· Nuk mund të ketë zhvillim kombëtar të plotë, madje nuk mund të ketë zhvillim rajonal pa hekurudhë mes nesh, 

· Lugina e Drinit, Kukësi, Tropoja, Gjakova, janë stacione të pashmangshme të kësaj rruge të re hekurudhore. Po i ndjek me vëmendje studimet, dhe projektet në këtë kahje. 

Për gjithë potencialin e vet, të pashfrytëzuar, ose të shfrytëzuar keq, Kukësi me varfërinë e vet dinjitoze është një krahinë ku ne politikanëve tashmë duhet të na vijë turp që është në këtë gjendje. 

Ju premtoj se derisa të kem mundësi do punoj që të jetësoj këto projekte, 

që ta meritoj këtë cilësor që tash e tutje do ta mbaj me krenari: 

jam kuksian, jam shqiptar, jam njeri nga ju! 

Faleminderit

Foto Galeria