2521 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 26 March 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i jashtëm Pacolli pret në takim homologen e tij nga Austria, Dr. Karin Kneissl

Prishtinë, 26 Mars 2018 – Mbështetja e fuqishme austriake për Kosovën është dëshmuar gjatë historisë dhe si e tillë do të vazhdojë edhe më tutje nga çështjet që ndërlidhet në nivelin e marrëdhënieve dy-palëshe ashtu edhe në ato shumëpalëshe.

 

 Ministri Pacolli: Mbështetja e Austrisë për Kosovën mbetet e palëkundur, presim rritje të investime nga kompanitë austriak. 

Kështu ka vlerësuar kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, gjatë një takimi që kishte me homologen e tij nga Austria, Dr. Karin Kneissl, Ministre për Evropë, Integrim dhe Çështje të Jashtme. 

“Kisha një takim shumë të rëndësishëm me Ministren e Austrisë për Evropë, Integrim dhe Çështje të Jashtme, Dr. Karin Kneissl. Theksuam historinë e marrëdhënieve historikisht të shkëlqyeshme dhe të veçanta në mes dy vendeve dhe dy popujve. Ri-konfirmuam se mbështetja austriake për Kosovën do të jetë e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse: nga liberalizimi i shpejtë i vizave, anëtarësimi në Organizatat Ndërkombëtare, integrimi në strukturat euro-atlanike, lobimi tek pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën si dhe mbi dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli. 

Tutje, duke marrë parasysh faktin që, Austria do të marrë kryesimin e Presidencës së BE-së nga Qershori i këtij viti, Ministri Pacolli i ka kërkuar kryediplomates austriake që rrisin edhe më shumë përpjekjet e mbështetjes për integrimin e vendeve të Evropës Juglindore në BE, në veçanti ndaj Kosovës, gjë e cila është mirëpritur edhe nga ajo. 

Thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik ishte çështja tjetër e diskutuar në mes të dy bashkëbiseduesve. 

“Austria duhet të jetë njëri nga investitorët më të mëdhenj në Kosovë, ashtu siç tashmë ajo është në disa vende të Evropës-Juglindore”, është shprehur Ministri Pacolli. 

Vlerësime të përgjithshme pozitive për nivelin e zhvillimit ekonomik në mes dy vendeve ka dhënë edhe ministrja e jashtme austriake, Kneissl, duke i falënderuar të gjitha bizneset austriake që kanë investuar deri më tash në Kosovë. 

Sipas institucioneve zyrtare të Republikës së Kosovës llogaritet se investimet nga Austria në Kosovë deri në mars të vitit 2017 kanë arritur një shumë në vlerën prej 227,9 milion euro. 

Duke folur mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë, respektivisht procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, ministrja Kneissl ka thënë se ky proces mbështetet nga Austria dhe e ka vlerësuar si shumë pozitive arritjet që janë bërë në këtë drejtim nga Kosova, në veçanti në lidhje me rekrutimin e pjesëtarëve nga komunitetet pakicë.

 

Foto Galeria