2533 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 20 March 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli: Kosova pret në fund të afatit të diskutimeve me Serbinë, një Kontratë Paqeje ku Serbia e pranon vendin tonë si realitet i padiskutueshëm shtetëror

Bruksel, 20 Mars 2018 - Sot në Bruksel, ministri i jashtëm dhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ju drejtua me një fjalim 75 europarlamentarëve të Komitetit të fuqishëm për Politikë të jashtme, AFET, udhëhequr nga David McAllister dhe pati një bashkëbisedim të paraparë më herët me ta.

 

 Turi i takimeve në Bruksel brenda institucioneve europiane dhe atyre dypalëshe me shtetin belg të Ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli, filloi me një fjalim dhe diskutim në Komitetin për Politikë të jashtme të Parlamentit Europian, drejtuar nga David Mc Allister.“Kosova pret në fund të afatit të diskutimeve me Serbinë, një Kontratë Paqeje ku Serbia e pranon vendin tonë si realitet i padiskutueshëm shtetëror”, tha ministri i jashtëm Pacolli. Ai, kërkoi liberalizimin e vizave për Kosovën. 

Ministri Pacolli foli në gjuhët kryesore të Bashkimit Europian, fakt që u vlerësua si respekt për eurodeputetët dhe qytetarët europianë, nga kreu i këtij Komiteti, David McAllister. 

“Ne dimë se ju jeni ndërmarrës, dhe biznesi në ngjashmëri me politikën duan të arrijnë rezultate nëpërmjet negociatave, dhe duke u mbështetur në bashkëbisedues seriozë dhe të besueshëm, ndaj ne duam të bisedojmë me ju”, tha Mc.Allister, njëri nga deputetët më të rëndësishëm gjermanë, raportues për Serbinë dhe rajonin brenda Parlamentit Europian. 

Ministri Pacolli, veç të tjerash, madje pati dhe disa fjalë për Spanjën në spanjisht. Ai, theksoi në gjuhën spanjolle duke ju referuar aluzioneve që e lidhin pavarësinë e Kosovës me Katalonjën se pavarësia e Kosovës është një proces i mbështetur në zhvillimet e brendshme të fundshekullit të 20-të, kur Kosova rrezikonte mbijetesën e saj, dhe OKB, NATO mbikëqyrën pavarësinë dhe më në fund Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e legjitimoi shpalljen e pavarësisë. “Rrota e historisë nuk kthehet dot mbrapsht”, tha ministri Pacolli. 

Të gjithë eurodeputetët, me në krye David McAllister, theksuan qartë perspektivën europiane të Kosovës duke ju referuar votimit të sotëm nga Kuvendi i Kosovës, të Ligjit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Mc. Allister tha se “Strategjia e Zgjerimit e prezantuar para disa ditësh, e sheh Kosovën si pjesë të zgjerimit”. “Ju e dini se Parlamenti Europian gjithmonë ka qenë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën gjithmonë”, tha eurodeputeti tjetër sllovak, Kukan, mik i Kosovës, në favor të njohjes së saj nga Slovakia. “Votimi sot hap një dritare mundësish të shumta për Kosovën, duke filluar me liberalizimin e vizave. Mos e humbni këtë rast akoma”, ishte mesazhi i të gjithë eurodeputetëve, pa përjashtim. 

Pjesa më e madhe e fjalës së z. Pacolli ishte e fokusuar tek kërkesa për heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë të kosovarëve në BE. “Ka rënë dramatikisht numri i kosovarëve që kërkojnë azil”, tha ministri i jashtëm, duke bërë krahasim me vendet që e kanë tashmë liberalizimin e vizave. Në fjalën e tij, ministri Pacolli bëri, gjithashtu një pasqyrë të zhvillimeve të fundit në Kosovë, sa i takon ekonomisë, dialogut me Serbinë, fillimit nga puna të Dhomave Speciale, etj. Duke ju referuar këtyre të fundit, ai tha “Dhomat Speciale e humbin besueshmërinë nëse fillimi i punës së tyre shtyhet vazhdimisht”. Sa i përket dialogut me Serbinë, ministri Pacolli, tha se “Kosova pret, që ky dialog të ketë një afat dhe më në fund, një marrëveshje detyruese, njëlloj Kontrate paqeje, ku Serbia ta pranojë realitetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur”. “Ne mendojmë se ekonomia mund të ofrojë mundësi të mëdha pajtimi, midis dy vendeve, ndaj kam propozuar themelimin e një Zone të Lirë midis dy vendeve, Kosovës së Veriut dhe Komunës kufitare të Serbisë, Rashkës, që do të prodhojë mirëqenie, qetësi, dhe pajtim mes vendeve”. Ministri Pacolli ju përgjigj pyetjeve të deputetëve, slovakut, Kukan, kroatit, Picula, slovenit Soltes, bullgarit Kuçuk, etj, në lidhje me zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë.Komiteti krijon opinion dhe përgatit raporte brenda Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave dhe procese të tjera të Kosovës drejt BE-së. 

Takimet e kryediplomatit kosovar, Behgjet Pacolli, vazhdojnë. Në këtë vizitë ai shoqërohet nga zëvendësministrja, Rejhane Vuniqi, dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Kosovës në Belgjikë, Bernard Nikaj.

 

Foto Galeria