2590 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 17 February 2018
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Hoti shqiptarëve në SHBA: Ju faleminderit, ju detyrohemi shumë!

New York, 17 shkurt 2018 – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Besnik Hoti, ka marrë pjesë në akademinë solemne për të kremtuar 17 Shkurtin për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. të organizuar nga Liga Qytetare Shqiptare -Amerikane në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave Shqiptare-Amerikane dhe organizatën Rrënjët Shqiptare të mbajtur në Monroe College - Bronx në New York.
 
Në këtë veprimtari, të cilën e udhëhoqi Presidenti i Ligës Qytetare, Joseph DioGuardi dhe Shirli Klojes, përpos zëvendësministrit, Besnik F. Hoti, ishin edhe anëtari i Bordit të LQSHA, këshilltari i Kosovës, profesor Faton Bislimi, kryetari i ASHASH, Prof. Skënder Kodra, nën/kryetari i organizatës Rrënjët Shqiptare, Nick Beqi, dhe të tjerë. Me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe akademisë solemne në shënimin e këtij jubileu, për herë të parë u shfaqë në Amerikë, dokumentari për masakrën e Krushës së Madhe, me titull "Dëshmitë e Heshturës”, me shpjegimet e zëvendës/ministër të Jashtëm, Besnik F. Hotit, ku siç dihet, pothuajse të gjithë burrat në Krushë të Madhe, përfshirë edhe anëtarët e familjes Hoti, u therën nga forcat serbe në mars të vitit 1999; gratë dhe fëmijët u dëbuan; dhe fshati djegur në tokë. Kjo ishte shfaqja e parë publike e "Dëshmive të Heshturës" (me titra në anglisht), e cila u pasua nga sqarimet e Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi, Besnik Hoti dhe Faton Bislimi, pasuar me pyetje e përgjigje. Me këtë rast, zëvendësministri Hoti tha: “Sot, në këtë ditë të veçantë për Kombin Shqiptar është kënaqësi e veçantë për mua të marrë pjesë dhe të flas për këtë ngjarje jubilare, të përkujtojmë dhe vlerësojmë arritjet e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane gjatë ekzistencës së saj 27 vjeçare”. ‘’Qeveria e Republikës së Kosovës, jep vlerësimin e saj maksimal për rolin e Ligës Qytetare Shqiptare-Amerikane për 27 vite, e cila ka krijuar një lidhje thelbësore mes shqiptarëve në Ballkan dhe anëtarëve të Kongresit Amerikan në promovimin e parimeve dhe vlerave euroatlantike, po ashtu punët që vazhdojnë për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në të gjitha shtetet ku jetojnë ata. Ne këtë 10 vjetor të pavarësisë së Kosovës, duhet të kujtojmë ata që nuk janë në mesin tonë, ata që sakrifikuan veten e tyre që ne të jetojmë të lirë. Kam lexuar një sentencë të një intelektualit nga Kosova që jeton në SHBA dhe e ndjej si obligim ta citoj: ‘Përmendorja më e madhe që mund t’u ngritët heronjve është vënia në jetë e idealeve, veprave dhe porosive të tyre. Dëshmorët janë më meritorët, atyre u kemi shumë borxh dhe sot duhet të bashkohemi dhe ta jetësojmë amanetin e tyre, për një Kosovë stabile, përparimtare dhe demokratike", tha Hoti. “Ne, shqiptarët jemi me fat që ju kemi dhe jemi krenar me punën tuaj në sensibilizimin e çështjes së shqiptarëve tek autoritetet amerikane”, ka shtuar ai. ‘’LQSHA nën udhëheqjen e Joe DioGuardit, ka ringjallur përpjekjet diplomatike karshi çështjes kombëtare, duke u fokusuar në informimin e administratës amerikane, opinionit publik, lidhur me padrejtësitë e mëdha kundër shqiptarëve në Ballkan, posaçërisht për torturimet, burgosjet, dëbimet dhe gjenocidin gjatë viteve 90-ta në Kosovë, gjë që e cila rezultoi me ndërhyrje ushtarake të NATO-së në Kosovë. Roli i juaj ka qenë shumë i rëndësishëm dhe për këtë ju falënderoj. Po ashtu ju i treguat botës për diçka të fuqishme qe ne shqiptarët kemi, BESËN. I treguat botës për tolerancën fetare në mes myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve dhe hebrenjve shqiptarë, si shembulli më unik në botë. Ju faleminderit, ju detyrohem shumë’’, ka vazhduar fjalimin e tij zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Hoti. Tutje, ai vazhdoi se “shpreson se LQSHA dhe mërgimtarët tanë në SHBA, do të thellojnë edhe më shumë lidhjet ndërmjet vete, që bashkërisht të ndikojnë në Kongresin e SHBA-ve”. “Ky ndikim në këtë kohë është i mirëseardhur dhe ka rëndësi të veçantë për Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan”, u shpreh ai. "Po ashtu dëshiroj të falënderoj lobistët shqiptarë”, tha në fund të fjalës së tij, zëvendës/ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Hoti. Gjatë këtij aktiviteti u shfaq edhe një video dokumentar, që paraqiti nga fillimi 27 vjet më parë aktivitetet, demonstratat, e shqiptarëve të Amerikës, në Uashington dhe Nju Jork, vizitat e para të Tom Lantosh dhe Bob Dole në Prishtinë, në vitin 1990 – 1991 si dhe dëshmitë e bëra në Kongres rreth çështjes dhe problemeve shqiptare. Po ashtu nëpërmjet fotografive edhe angazhimi i Ligës Qytetare me në krye Xhozef DioGuardi dhe Shirli Klojes – DioGuardi, të cilët së bashku me komunitetin shqiptarë në SHBA-në, kanë punuar dhe ndihmuar në dhënien fund të spastrimit etnik në Kosovë, nga regjimi i Slobodan Milosheviqit, dhe në të gjitha trojet shqiptare, u prezantua një ekspoze. Të pranishëm në këtë jubile ishin edhe veprimtarët e dalluar - anëtarët e Bordit, nga Chicago, Mahmut Skenderi, Nazim Alimi, Destan Aliu, Sabit Gashi nga Washingtoni, Gjergj Dedvukaj, Agim Aliçka, Rifat Mehmeti, Ekuran Shehu, Aslan Çekiç, nga Nju Jorku, Marash Nucullaj nga Detroiti dhe veprimtarët, Ismet Berisha, Zef Dushi, Shkumbin Teta, profesori i Monroe College Haxhi Berisha, skenograf dhe piktor Astrit Tota, shkrimtari Tom Paloka. Në këtë akademi solemne të jubileut të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 27 vjetorit të LQSHA, u ndanë mirënjohje për përfaqësuesit e bordit për kontributin e tyre, për pavarësinë e Kosovës dhe gjithë angazhimin e LQSHA në trojet shqiptare në Ballkan.
 

Foto Galeria