2603 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 06 February 2018
  • SHARE
  • PRINT

Deklaratë e Ministrit të Jashtëm, z. Behgjet Pacolli, mbi Strategjisë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian

Prishtinë, 6 Shkurt, 2018 Lajmi i mirë nga Brukseli është se BE-ja po tejkalon të ashtuquajturën “enlargement fatigue” - lodhjen nga zgjerimi dhe i është rikthyer seriozisht rajonit tonë.

 

Një perspektivë e besueshme e zgjerimit të BE-së, e që përfshinë Ballkanin Perëndimor është një angazhim i shtuar i Brukselit dhe shteteve anëtare.

Ri-afirmimi i një të ardhme Evopiane të vendeve të Ballkanit Perëndimorë nga Presidenti, Jean-Claude Juncker, hapë perspektivë të re për më shumë stabilitet në fqinjësinë tonë. Ky është obligim i BE-së për të ruajtur perspektivën kredibile të zgjerimit për rajonin.

Me Strategjinë për Zgjerim të BE-së, për Republikën e Kosovës hapet një dritare historike e mundësisë për t’u lidhur në mënyrë të vendosur dhe pa dyshim me të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian.

Republikës së Kosovës i është ofruar mundësi për progres të qëndrueshëm nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, edhe pse ne kemi kërkuar trajtim të barabartë me vendet tjera të rajonit. 

E kemi menduar se për ne është trajtim i pabarabartë formulimi “frontrunners”. Ne kemi sugjeruar, që do të duhej të ofrohej një përkufizim i qartë mbi statusin e kandidatit për Kosovën, si dhe një kornizë e qartë kohore për hapjen e bisedimeve për procesin e anëtarësimit në BE.

Besoj fuqishëm se Kosova sikurse vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë mund të përfitojnë nga një stabilitet dhe prosperitet më i avancuar, e që do të mundësojë perspektivë të qartë evropiane.

Ajo që duhet të na inkurajojë është se procesi i zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë projektohet në frymën e procesit të Berlinit, që parasheh involvimin e vet BE-së në Planin e Veprimit për Mbështetjen e Transformimit të Ballkanit Perëndimor, në fushat si në vijim:

1. Forcimin e mbështetjes për sundimin e ligjit, ku përfshihet matja e reformave në gjyqësi, luftimi i korrupsionit, mbështetja nga ekspertët e Shteteve Anëtare, monitorimi i proceseve gjyqësore, përkrahje e mediave të pavarura dhe shoqërisë civile, etj; 

2. Shtimin e angazhimit në aspektin e sigurisë dhe migracion: angazhim i përbashkët kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, postimi i oficerëve ndërlidhës të Europolit në të gjithë rajonin, marrëveshje bashkëpunimi me Eurojust, ngritja e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe krimit kibernetik, menaxhimi i kufirit, krijimi i qendrave koordinuese kombëtare për kontrollin e kufirit, bashkëpunim në Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri/ Siguria e Përbashkët si dhe Politika e Mbrojtjes, etj;

3. Përkrahje në zhvillimin socio-ekonomik, në të cilën përfshihen: Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, garancitë për investimet private, zhvillimi i sektorit privat, rritja e potencialit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përkrahja e hulumtimeve dhe ndërtimi i kapaciteteve të inovacionit, lehtësimi i tregtisë, forcimi i programit për reforma ekonomike, rritja e fokusit në punësim dhe në reformat sociale, etj; 

4. Angazhim në shtimin e lidhjes infrastrukturore, pjesëmarrjen e autoriteteve dhe organizatave të Ballkanit Perëndimor në punën e rrjetit të rregullatorëve të energjisë dhe operatorëve të sistemit të transmisionit dhe shpërndarjes;

5. Përkrahje në agjendën e digjitalizimit; 

6. Mbështetja e pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Foto Galeria