2609 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 29 January 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli takon ministren e jashtme të Suedisë, Suedia e palëkundur në mbështetjen e gjithmbarshme ndaj Kosovës

Stokholm, 29 Janar 2018 – Në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Suedisë, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, është pritur nga ministrja e jashtme suedeze, znj Margot Wallström.

 

Të dy krerët e diplomacive nga shtetet respektive kanë vlerësuar lartë nivelin e marrëdhënieve shumë të mira në mes dy vendeve, duke shkëmbyer pikëpamje mbi mundësitë dhe potencialet ende të pashfrytëzuara, që do të mund t’i jepnin shtytje të reja rritjes dhe thellimit të këtij bashkëpunimi. 

“Zhvillova një takim të rëndësishëm me ministren e jashtme të Mbretërisë së Suedisë, znj Margot Wallström. Ri-konfirmuam nivelin e marrëdhënieve shumë të mira, që tashmë ekzistojnë në mes dy vendeve dhe miqësisë në mes dy popujve. E falënderova për gjithçka, që shteti nordik ka bërë para, gjatë dhe pas pavarësisë. Suedia, do të mbështesë pa rezerva rrugëtimin e integrimit evropian dhe ndërkombëtarë të vendit tonë, procesin e liberalizimit të vizave dhe projektet, që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së shtetasve tanë. Ekzistojnë shumë mundësi ende të pashfrytëzuara edhe në nivelin dy-palësh. Duam dhe presim më shumë investime suedeze në vend”, ka thënë Ministri Pacolli. 

Zbatimi i Agjendës së Reformave Evropiane, procesi i përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian, dialogu me Serbinë, mbështetja suedeze në Kombet e Bashkuara brenda periudhës kohore dy vjeçare si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, organizimi i një Forumi Ekonomik në mes dy vendeve, modeli suedez i Zonave të Lira Ekonomike kanë disa nga çështjet tjera të diskutimit.

Gjatë vizitës zyrtare në Suedi, Ministri Pacolli është takuar në takime të ndara edhe me Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ndërkombëtar, Ulrika Modéer dhe përfaqësues nga Parlamenti suedez (Riksdag), respektivisht, Grupin e Miqësisë Suedi –Kosovë.  

 

Foto Galeria