2635 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 08 January 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli në takimin me homologun nga Emiratet të Bashkuara Arabe: EBA do të rrisë mbështetjen për njohje dhe anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare

Abu Dhabi, 8 Janar 2018 – Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, është pritur nga Ministri i Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtarë, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

 

 Në kuadër të këtij takimi, i cili u zhvillua në një ambient shumë miqësorë, të dy kryediplomatët e shteteve respektive diskutuan mbi çështjet, që prekin interesin e të dyja vendeve.

Gjatë takimit, Ministri i Jashtëm, Pacolli fillimisht e ka falënderuar Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Abdullahun, për përkrahjen e vazhdueshme, që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë dhe po e bëjnë për Kosovën, jo vetëm në njohje, por edhe duke e përkrahur fuqishëm anëtarësimin e saj në Organizatat Ndërkombëtare.

Në funksion të kësaj, është diskutuar edhe sinkronizmi i punëve të përbashkwta për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku samiti i radhës i kësaj Organizate do të mbahet në Abu Dhabi. 

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i EBA-s, ka premtuar shtimin e angazhimit të tij edhe personal në çështjet, që ndërlidhen me forcimin e subjektivitetit dhe integrimit të mëtutjeshëm ndërkombëtarë të Kosovës. 

Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në EBA, ka qenë një temë tjetër diskutimi në aspektin politik dy-palësh, dhe është rënë dakord, që Ministria e Jashtme e Kosovës t’i fillojë procedurat e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi që nga java e ardhshme. 

Në lidhje me çështjet e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve, Ministri i Jashtëm, Pacolli, përmes homologut të tij, i ka bërë thirrje investitorëve potencial nga EBA për të investuar në Kosovë, gjë e cila është mirëpritur dhe vlerësuar nga bashkëbiseduesi.

Foto Galeria