2639 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 04 January 2018
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri i Jashtëm Anton Berisha i reagon patriarkut serb: Deklarimet e tij janë konstatime për keqardhje dhe jashtë frymës së festës

Prishtinë, 04 Janar 2018 – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, ambasadori Anton Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës se patriarkut serb Irinej, se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën.

 

 Berisha tha se Kisha serbe nuk e ka monopolin etnik të krishterimit rrjedhimisht as të drejtën historike në Kosovë, andaj intervista e Krishtlindjeve e patriarkut serb Irinej se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën, se Kosova është Serbia e Vjetër, nga e cila ka lindur pjesa tjetër e Serbisë si dhe nënvizimi i tij se “Kosova është historia serbe, kultura dhe shpirti i saj, se Prizreni ka qenë kryeqytet i popullit serb e Patrikana e Pejës rezidencë e argjipeshkëv dhe e patriarkëve serbë” janë konstatime për keqardhje dhe jashtë frymës së festës.

Berisha tutje tha se referimi i konteksteve historike të kohëpaskohshme është përpjekje që periudhat kolonialiste të Serbisë në Kosovë për t’i paraqitur si e drejtë historike që i takon popullit serb duke përjashtuar shqiptarët si banorë të këtyre trojeve si dhe duke ua mohuar atyre kulturën duke përfshirë edhe atë krishtere.

‘’Fetë, janë universale në natyrën e vet dhe çdo interpretim subjektiv e margjinal për të nxjerrë krishterimin si monopol etnik serb ne këtë rajon është tendenciozitet malicioz në kundërshtim me nevojën sublime për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kjo logjikë e KOS nuk është në përputhje me realitetin historik e as me gjendjen faktike aktuale, ngase Kosova është çliruar nga kolonizimi serb, është shtet i pavarur, në të cilin të gjithë shtetasit e saj i kanë të garantuara të drejtat e tyre qytetare, etnike, kulturore dhe fetare’’ deklaroi zëvendësministri i Jashtëm, ambasadori Anton Berisha

Foto Galeria