2802 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 12 June 2017
  • SHARE
  • PRINT

Hoxhaj takon kongresmenët, SHBA mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës

Prishtinë, 12 maj 2017 – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot delegacionin nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

 

Duke i falënderuar për miqësinë dhe mbështetjen e madhe të SHBA-së për Kosovën, Hoxhaj i ka informuar kongresmenët për progresin e vendit në agjendën euro-atlantike dhe orientimin e palëkundur perëndimor të Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara dhe rolin që ka ShBA-ja në ndërtimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Të dy palët diskutuan për mbështetjen amerikane që Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) në kuadër të Aleancës Veriatlantike.

“Kemi biseduar për miqësinë dhe mbështetjen që ShBA-ja vazhdon t’ia japë Kosovës ndër vite dhe rolin e saj në shtet-ndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Po ashtu, diskutuam se si Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) dhe mbështetjen amerikane në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar i ka informuar kongresmenët në lidhje me rrjedhën e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizim përmes dialogut të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar. 

Po ashtu, Hoxhaj dhe kongresmenët diskutuan për zhvillimet më të fundit në rajon dhe tendencën e Rusisë për të ndikuar në Ballkan duke i kundërshtuar shtetet e perëndimit dhe duke e penguar integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit. U diskutua edhe për ndikime të tjera jo-perëndimore të mundshme në Ballkan dhe luftimin e ekstremizmit.

 

Foto Galeria