2833 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 24 March 2017
  • SHARE
  • PRINT

Hoxhaj takime në Kongres, miqësia me Amerikën e përjetshme

Washington, 24 mars 2017 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në Washington Kryetarin Komisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, Ed Royce dhe zëvendësin e tij, kongresistin Eliot Engel, të cilët i ka falendëruar për përkrahjen ndaj Kosovës.

Hoxhaj i ka informuar miqtë e Kosovës për progresin e viteve të fundit, por njëkohësisht edhe sfidat që ka përpara për të kompletuar shtetësinë të cilat Kosova mund t’i tejkalojë vetëm me ndihmën e miqve sikurse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova është e bekuar me miqtë amerikanë që ka në të gjitha nivelet e administratës në Washington. Kjo përkrahje ndihet çdo kund dhe është e përjetshme. Ne do të vazhdojmë ta kultivojmë për ta thelluar edhe më tej”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.

Gjatë qëndrimit në SHBA, në ditën e fundit të vizitës, Hoxhaj ka takuar edhe Kryetarin e Komisionit për Inteligjencë të Senatit, Richard Burr, me të cilin ka diskutuar për sfidat globale të sigurisë dhe nevojën e vazhdueshme për të pasur vëmendjen e shtuar të SHBA-së në rajon.

Po ashtu, ministri Hoxhaj ka mbajtur edhe një ligjeratë para një audience ekspertësh të përzgjedhur të Ballkanit dhe Evropës në Atlantic Council ku ka folur për sfidat historike të rajonit nga perspektiva e Kosovës.

 
 

Foto Galeria