2835 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 22 March 2017
  • SHARE
  • PRINT

Hoxhaj në takimin vjetor të koalicionit anti-ISIS, Kosova kontribuues i sigurisë në rajon

Washington, 22 mars 2017 – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po merr pjesë në takimin vjetor të ministrave të Jashtëm të koalicionit anti-ISIS, që po mbahet në Washington.

 

Duke e falënderuar Sekretarin Tillerson për organizimin e këtij takimi, Hoxhaj ka thënë se Kosova ka ndërmarrë masa efikase për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar, si dhe për parandalimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar organizatave terroriste.

“Si shteti më i ri në Evropë, Kosova është krenare që është pjesë e Koalicionit Global Anti-ISIS, që nga dita e parë e themelimit. Në të njëjtën kohë, Kosova është shembull në rajon në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Evropën Juglindore. Ne mbetemi të përkushtuar të kontribuojmë në sigurinë e Evropës dhe atë globale”, ka thënë Hoxhaj.

Në margjjina të takimit, Hoxhaj ka takuar edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës duke theksuar në veçanti raportet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Në anën tjetër, në takimet me ministrat e Jashtëm të Qipros, Polonisë, Austrisë, Holandës, Çekisë, Norvegjisë, Afganistanit, Malajzisë, Singaporit e shumë të tjerë, Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen për Kosovën për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, njohjen diplomatike të Kosovës, si dhe zgjerim të bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

Hoxhaj po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka takuar edhe shumë kongresistë dhe senatorë amerikanë, si dhe takime në Departamentin e Lartë të Shtetit.

 
 

Foto Galeria