2881 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 23 January 2017
  • SHARE
  • PRINT

Hoxhaj viziton Singaporin: Nga njohja drejt bashkëpunimit ekonomik

Singapor, 23 janar 2017 - Dy muaj pas njohjes nga Singapori, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka qëndruar për vizitë në këtë vend ku ka takuar homologun e tij, Vivian Balakrishnan, për ta falënderuar për përkrahjen dhe për të diskutuar fillimin e një kapitulli të ri të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Hoxhaj ka thënë se vizita e tij në këtë pjesë të Azisë Juglindore flet për atë se Kosova nuk i synon vetëm njohjet, por synon të ketë rritje të shkëmbimeve në fusha të ndryshme me këto vende dhe ta forcojë çdo ditë praninë e saj në botë.

“Sot kam filluar një vizitë në disa shtete të Azisë Juglindore. Në Singapor kam takuar ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Punëve të Brendshme, kryetarin e Federatës së Bizneseve dhe përfaqësues të tjerë. Qëllimi i parë i vizitës është thellimi dhe forcimi i lidhjeve ndërshtetërore, si dhe bashkëpunimi i ardhshëm i ngushtë ekonomik në mes të dy vendeve. Së dyti, Kosova si shtet i ri është edhe më tutje në fazën e kompletimit të sovranitetit, prandaj ne do të hapim çdo derë dhe nuk do të lëmë asnjë gurë pa lëvizur me qëllim që të sigurojmë mbështetje për Kosovën, qoftë në planin bilateral, qoftë edhe për t’u anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare”, ka thënë ministri Hoxhaj.Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Singaporit, Vivian Balakrishnan e ka falënderuar Hoxhajn për vizitën duke thënë se Kosova ka mbështetjen e plotë të Singaporit në procesin e zhvillimit të shtetit.

“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar t’ju mirëpres në Singapor. Ne jemi shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Ju jeni një shtet i vogël, i ri, dhe sapo keni filluar këtë udhëtim emocionues. Nuk do të jetë një udhëtim i lehtë, por ju siguroj që e keni mbështetjen tonë të plotë. Ne jemi shumë të interesuar për bashkëpunim më të thellë dhe më të ngushtë, si dhe për lidhje sa më të forta në mes të shteteve tona”, ka thënë ministri i Jashtëm i Singaporit, Balakrishnan.

Kryediplomati kosovar ka takuar, po ashtu, edhe ministrin e Brendshëm, K Shuningam, i cili më parë ka qenë ministër i jashtëm, me të cilin kanë diskutuar për nevojën e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.

Pjesa tjetër e vizitës së Hoxhajt është fokusuar në takime të karakterit ekonomik, ku fillimisht ka vizituar Federatën e Biznesit të Singaporit për ta diskutuar idenë e organizimit të Forumit të Biznesit, në mesin e këtij viti.

Ndërsa, në takimin me udhëheqësit e Programit për Bashkëpunim të Singaporit (SCP), Hoxhaj është njoftuar me listën e programeve që Kosova mund të përfitojë në këtë vit, ku përfshihen edhe trajnimet në fusha të ndryshme për dhjetëra zyrtarë të Kosovës.

Pas Singaporit, Hoxhaj do ta vizitojë edhe Brunein, Malajzinë dhe Tajlandën.

 
 

Foto Galeria