3130 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 04 September 2016
  • SHARE
  • PRINT

Fjalimi i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e dhënies së çmimit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës

Të nderuar të pranishëm erdha në këtë ceremoni nga Parisi, ku dje ishim të bashkuar e gjithë bota demokratike në marshin e bardhë të solidaritetit me popullin francez.

Kosova dhe Shqipëria edhe njëherë dëshmuan zotimin për respektimin dhe kultivimin e vlerave civilizuese botërore.

Nderimi i përbashkët që kleri fetar shqiptar u bëri në Paris viktimave te terrorizmit, ishte sa madhështor aq edhe mbresëlënëse dhe u duartrokit nga e gjithë bota. Dëshmuam tolerancën, mirëkuptimin dhe solidaritetin e kombit shqiptar.

Kosova dhe Shqipëria i takojnë familjes politike euroatlantike dhe kombi shqiptar dallon si një prej kombeve me solidare e tolerante evropiane.

Është një kënaqësi e madhe për mua që fal këtij nderi që po më bëhet, do ta kem edhe një lidhje formale përveç asaj shpirtërore me Universitetin e Tiranës. 

Kjo vatër e shkencës ka edukuar shumë breza me dije e me aftësi dhe ka kultivuar dhjetëra mijëra studentë me atdhedashuri.  Roli i këtij institucioni është veçanërisht i çmuar kur bëhet fjalë për kontributin e vyer që akademikët e Tiranes kanë dhënë në studimin e historisë, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar.  

Këtu dua të shpreh mirënjohje të veçantë për ata profesorë të Universitetit të Tiranës të cilët erdhën në Kosovën e okupuar disa dekada më parë dhe na dhanë ndihmë të çmuar në formimin dhe konsolidimin e Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës.

Kjo ndikoi fuqishëm edhe në ngritjen e Lëvizjes për Lirinë e Kosovës. Unë ndihem i nderuar dhe shume i respektuar jo vetëm për titullin por edhe për motivacionin e këtij çmimi. 

Liria gjendet më së miri e kultivuar, mbështetur dhe e mbrojtur pikërisht në ambientet universitare.  Një tjetër rol historik i pazëvendësueshëm i Universitetit të Tiranës është ai për të shembur përfundimisht komunizmin dhe për ti hapur rrugën drejt lirisë dhe demokracisë nëpërmjet Lëvizjes së Dhjetorit 1990 e cila e pati gjenezën dhe mbështetjen pikërisht në këtë oazë të dijes. 

Edhe lufta jonë për liri, barazi e dinjitet kombëtar e ka pasur zanafillën në sallat e Universitetit të Prishtinës, në protestat masive të nisura nga studentët në vitin 1968, 1981, në 1989 dhe 1997. Në fakt dhe angazhimi im politike ka nisur pikërisht në bankat universitare, mbi dy dekada më parë.
Përfitoj nga ky rast që nga ky podium te shpreh sërish, në emrin tim dhe të mbarë popullit të Kosovës,  mirënjohjen e thelle për ndihmën kolosale qe na është dhënë gjatë luftës tragjike që kaluam. 

Gjithë globi u befasua nga bujaria dhe mikpritja e rrallë qe bëri shteti me i varfër në Evrope i cili sapo kishte dalë nga trauma shkatërruese e vitit të mbrapshtë 1997.

Me anën e solidaritetit zemërgjerë  që tregoi,  populli i Shqipërisë i dëshmoi mbarë botës se:  as 50 vite izolimit totalitar komunist të Shqipërisë e as 100 vite robëri nën okupimin të Kosovës, nuk ia kanë dalë ta zbehin aspiratën për liri dhe unitetin tonë kombëtar!

Në këto momente, nuk gjej dot fjalë mjaftueshëm të forta për të falënderuar ato dhjetëra mijëra familje të thjeshta e të varfra që, edhe pse të gjendur ngushtë, u ngushtuan edhe më shumë për të na bërë strehë neve. 

Na jeni gjetur pran në kohërat me te vështira!
Ju falënderoj nga zemra.

Ju faleminderit, sepse pa mbështetjen tuaj liria qe gëzojmë do ishte e pamundur. Falënderoj këtu veçanërisht edhe disa nga protagonistet politik te asaj kohe për kontributin e çmuar personal, disa kemi nderin ti kemi të pranishëm këtu si z Mejdani, Majko, Hajdaraga, Brokaj etj.
Me shaka bashkë me bashkëluftëtarët e mi nëpër llogore ne ju quanim prapavija e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë doktoraturë honorifike me motivacion lirinë ia dedikoj bashkëluftëtarëve të mi të rënë në luftë. Ne të gjithë përulemi me nderim para veprës së atyre që nuk kursyen as jetën për lirinë.  Atyre u takojnë lëvdatat dhe nderet më të mëdha. 

Ky titull i takon luftës për liri të popullit të Kosovës i cili është paqësor dhe mori armët për të luftuar vetëm pasi u shterën të gjitha format e tjera të rezistencës dhe angazhimit politik - pasi u sos durimi.

Lufta jone qe një luftë e drejtë dhe dinjitoze prandaj fitoi zemrat e mbarë botës së lirë. Fal kauzës sonë të drejtë dhe mënyrës së si e bëmë luftën ne morëm përkrahjen e pakursyer të vendeve kryesore demokratike , SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s të cilët ndërhynë ushtarakisht për çlirimin tonë. 

Përkujtimi i luftërave çlirimtare dhe heronjve të panumërt të popullit shqiptar, prej kur nisi lëvizja kombëtare me Lidhjen e Prizrenit, nuk është vetëm një borxh e përgjegjësi morale jona ndaj së kaluarës por edhe burim frymëzimi për të ardhmen. 

Unë jam i sigurt që brezat e rinj do të dinë ta vlerësojnë dhe shfrytëzojnë shumë më mirë lirinë që gëzojnë sot duke njohur të kaluarën.  

Prandaj liria nuk duhet  të merret e mirëqenë. Ajo stafetë e rilindësve duhet të vazhdojë sot por me mjete të tjera. 

Na duhet të gjithëve të bëjmë maksimumin në punët tona, duke mos e shpërdorur lirinë dhe duke i përballur sfidat e së ardhmes me optimizëm, kurajo e vetë-besim. 

Misioni im i parë në jetë ka qenë liria e vendit, i dyti ka qenë bërja e pavarësisë dhe konsolidimi i republikës së pavarur të Kosovës. Sot shteti i Kosovës është i nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht.

Si shteti me i ri evropian po e konsolidon me shpejtësi rolin e vet ne arenën ndërkombëtare. Kosova tashmë është njohur nga 108 shtete anembanë botës dhe anëtarësuar në shume organizata të rëndësishme rajonale, evropiane dhe botërore.

Ka krijuar miqësi te përjetshme me Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Ka trasuar rrugën e pandalshme evropiane.

Shteti i Kosovës dhe populli i saj ka synim, vullnet dhe vizion integrimin ne NATO, Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve te Bashkuara.    

Si përfundim të nderuar drejtues e përfaqësues të Universitetit të Tiranës, unë e pranoj këtë titull me përulësi, krenari e shumë mirënjohje. 

Ju siguroj që e konsideroj këtë titull jo vetëm si privilegj por edhe si një obligim për të vazhduar që të punoj me përkushtim në të ardhmen e shtetit te Kosovës dhe kombit tim.
Faleminderit

Foto Galeria