3395 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 21 February 2018
  • SHARE
  • PRINT

Wanderlust: Pesë arsye se përse duhet ta vizitoni Kosovën

Prishtinë, 21 shkurt 2018 - “Wanderlust” është revistë e themeluar në dhomë të fjetjes gjatë vitit 1993 nga dy entuziastë të udhëtimeve. Kjo është ndër revistat më të mira ndonjëherë sa i përket fushës së udhëtimeve, ndërsa gjithashtu është edhe fituese e shumë çmimeve prestigjioze. Po kjo revistë ka vendosur që në ueb sajtin e saj ta publikojë një shkrim për Kosovën, ku përmenden pesë arsye se përse duhet vizituar vendi jonë, përcjell telegrafi. Më poshtë janë pesë arsyet e listuara nga ‘Wanderlust’

1: Kishat dhe manastiret 

E gjendur në një udhëkryq të historisë dhe religjionit, Kosova është shtëpi e disa prej manastireve dhe kishave më të rëndësishme në Evropën Qendrore.Manastiri i Graçanicës, në juglindje të Prishtinës, është një nga shembujt më të mirë të arkitekturës Bizantine në botë. Manastiri i Deçanit, i gjendur në një pyll në kanionin e Deçanit, u ka mbijetuar konflikteve të shumëta historike dhe është shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës ortodokse. Nga më të mirët në Kosovë mbetet Patriarku i Pejës, i cili daton nga shekulli i 13’të. Ky patriark mbrohet nga policia e Kosovës. 

2: Malet

Kosova është shtëpi e maleve të largëta e të thyera, dhe shtëpi e bukurive ende të paprekura. Lugina e Rugovës është në perëndim, ndërsa shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi. Në këto male ju gjeni komunitete të ndryshme, ujëvara, si dhe mure të pjerrëta kanioni deri në 300 metra të larta.Dragashi, në lindje të Kosovës, është një nga zonat më të rëndësishme të këtij vendi. Brodi është një nga fshatrat më të mirë në Kosovë, e që gjendet në Dragash, ndërsa shërben si vend për të bërë hiking-un më të mirë në Ballkan.Nëse jeni adhurues i hiking-ut dhe e vizitoni Kosovën, assesi mos harroni ta pushtoni majën e Gjeravicës – e cila është edhe maja më e lartë në Kosovë.

3: Qytetet

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është qytet i gjallëruar me kafene, muze dhe galeri. Është përzierje e të lashtës me modernen, e që vjen nga popullsia më e re e Evropës. Jeta e natës dhe kultura e kafesë është e jashtëzakonshme – gjithmonë ka një galeri të hapur, një performancë teatri ose një koncert live për të marrë pjesë. Pyetni një vendas për rekomandime, ndërsa gjithqysh lini kohë për ta vizituar muzeun e shkëlqyeshëm Etnografik. Pothuajse një orë larg Prishtinës e gjeni Prizrenin – perla e vërtetë e Kosovës! Me kalanë që gjendet mbi qytet dhe xhamitë e kishat që mbizotërojnë në qendër, si dhe me lumin Bistrika që e përshkon qytetin, Prizreni mbetet një qytet i vjetër fotogjenik.

4: Kultura

Mikpritja është gur themeli i jetës në Kosovë. Jashtë qyteteve – në veçanti në regjionet malore – jeni të mirëseardhur në shtëpitë e njerëzve dhe do të trajtoheni si mbret. Mikpritja është pjesë tradicionale e kanunit shqiptar. Shembujt më të mirë gjenden në fshatrat e Junikut dhe Dranocit – ku mund ta përjetoni mënyrën më të përsosur autentike të mikpritjes, ushqimit dhe kulturës së Kosovës.

5: Ushqimi

Ushqimi në Kosovë është po aq i mirë dhe mikpritës sa vetë njerëzit. E preferuara tradicionale shqiptare është tava, një pjatë e mbushur me mish, domate dhe patëllxhan. Kjo tavë ju garanton energji për ta pushtuar edhe majën më të lartë të çdo mali. Në anën tjetër, flia është super-ylli i Kosovës dhe nuk duhet të largoheni pa e provuar.

Burimi:http://www.kultplus.com/trashegimia/wanderlust-pese-arsye-se-perse-duhet-ta-vizitoni-kosoven-foto/ 

 
 

Foto Galeria