3410 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 02 March 2018
  • SHARE
  • PRINT

Destan dhe Barbara Gashi vijnë me ekspozitën e përbashkët “Mermer dhe ngjyra”

Prishtinë, 2 mars 2018 - Skulptori Destan Gashi dhe piktorja Barbara Gashi do të hapin ekspozitën e radhës, me punime në skulpturë dhe në pikturë.

Për një muaj rresht, në Galerinë e Forumit Rathaus në Knittelfeld të Austrisë, do të prezantohen piktura me ngjyra të ndritshme nga Barbara Gashi dhe skulptura origjinale të punuara nga mjeshtri i madh i skulpturës, Destan Gashi. Zemrën e ekspozitës e përbën vepra “Puthje” e punuar prej mermerit të qytetit Sölk në Steiermark të Austrisë. Format sensuale, rrumbullake dhe të prekshme e ftojnë adhuruesin e artit që t’i prekë veprat e Destan Gashit, të cilat janë kthyer në vepra arti origjinal pas gdhendjes, formimit, lëmimit dhe ilustrimit me një punë të palodhshme tash e sa muaj, shkruajnë mediet austriake, përcjell “albinfo.ch”. Skulpturat tjera, duke respektuar tërësisht traditën e skulptorit, janë skulptura nudo prej mermerit të Carraras. Disa vepra po ashtu të punuara në mermer, e kanë prejardhjen nga një gurore e vogël e Republikës së Kosovës, atdheut të skulptorit shqiptar. Çifti i njohur Gashi kanë thënë se janë të lumtur që përsëri u jepet mundësia të hapin një ekspozitë në Steinmark, ku të dy tashmë janë të njohur për shumë dashamirës të artit dhe koleksionistë privatë, njofton “albinfo.ch”. Destan Gashi është i lindur në Kosovë dhe ka diplomuar në shkollën e artit “Odhise Paskali”. Më pas ai ka studiuar për pikturë dhe skulpturë në Akademinë e Arteve në Bruksel. Bashkëshortja e tij, Barabara Gashi jeton dhe punon prej vitit 1987 si artiste e pavarur sërish në Vjenë. Artistja austriake, ashtu sikur bashkëshorti i saj, Destani, ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel. Gjithashtu, edhe ajo ka ekspozuar veprat e saj brenda dhe jashtë shtetit. 

Burimi:http://www.kultplus.com/arti-pamor/destan-dhe-barbara-gashi-vijne-ekspoziten-e-perbashket-mermer-dhe-ngjyra/ 

 
 

Foto Galeria