3412 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 05 March 2018
  • SHARE
  • PRINT

Arta Ramadani pranzaton romanin “Kosovar” në Panairin e Lepizigut

Prishtinë, 5 mars 2018 – Autorja Arta Ramadani, që jeton në Gjermani në gjatë këtij muaji publikon romanin e parë “Die Reise zum ersten Kuss. Eine Kosovarin in Kreuzberg” (Udhëtimi deri në puthjen e parë. Një kosovare në Kreuzberg) në botim të shtëpisë botuese “Drava”.

Prezantimin e parë publik libri do ta ketë brenda kornizave të një aktiviteti të madh të librit në Gjermani. Siç njofton autorja në një postim të saj në facebook, ajo do të ketë rastin që librin e saj ta prezantojë në Panairin e Librit në Leipzig (Lajpcig), më 18 mars. Ajo po ashtu, në njërin nga aktivitetet e shumta në kuadër të panairit, do të lexojë pjesë nga libri i saj, i cili brumin e merr nga lufta e Kosovës dhe pasojat e saj. Panairi i librit i Leipzigut, pas atij të Frankfurtit, është panairi i dytë më i madh në Gjermani dhe ka një traditë shumë të gjatë të ekzistimit, shkruan albinfo.ch. Për ndryshim nga panairi i Frankfurtit, ky i Leipzigut promovon më shumë kontaktet e autorëve me lexuesit e tyre dhe kultivon frymën e leximit. Këtë frymë pastaj e shpërndan edhe në gjithë qytetin, ku, gjatë ditëve të panairit, organizohet edhe festivali “Leipzig liest” (Leipzigu lexon), që është festivali më i madh në botë i kësaj natyre. Në romanin e saj debutues autorja rrëfen për vajzën 15 vjeçe Era, e cila gjatë luftës së Kosovës kërkon një atdhe të ri në botë dhe e gjen atë si fanse e madhe e Madonës në lagjen e njohur multikulturore të Berlinit, në Kreuzberg. Vajza e zgjuar jetonte në Prishtinë, dhe, me zemër të thyer qe detyruar ta braktiste vendin e përfshirë nga lufta, për të ikur në Gjermani. Atje, pas një fillimi të zymtë në një shtëpi azili, ajo provon të gjejë veten në qarkun e njohur multikulti të Berlinit, në Kreuzberg, shkruan botuesi i librit, “Drava” dhe shpërndarësi “Ex Libris” në prezantimin e tij. “Vetëm tri ditë i kishin mbetur Erës për të braktisur atdheun, njerëzit e dashur dhe shumicën e gjërave të saj. Kosova ndodhej në krizë lufte dhe jeta po bëhej gjithnjë më e rrezikshme. Prindërit e saj ikin nga policia serbe dhe nga perspektiva e errët. Ata e provojnë që në Berlin të gjejnë një strehë të re, transmeton albinfo.ch. Pikërisht në kohën kur Era kupton gjëra të tmerrshme mbi historinë gjermane, Gjermania po bëhej shtëpi e saj e re. Era dhe prindërit e saj vihen para një sfide dhe kështu Era mëson shpejt ta dojë vendin e ri, në të cilin ka kaq shumë liri dhe mundësi. Në pjesën e larmishme të Berlinit, në Kreuzberg, ajo kërkon vendin e saj në klasë, në rrugë dhe në shtet. “Era është njëra nga shumë vajzat të cilat gjatë luftës së Kosovës kërkuan shtëpinë e tyre të re në botën e madhe dhe e gjetën”, transmeton albinfo.ch. Vetë Arta, që në moshën e saj të adoleshencës kishte moderuar në një radio të rinjsh për të përmirësuar buxhetin e saj të xhepit dhe me atë rast kishte zbuluar pasionin për gazetarinë. E lindur në Prishtinë, e rritur në Mannheim dhe me studime të mbaruara në SHBA, ajo e njeh jetën në mes të kulturave dhe i shijon që të lëvizë mes tyre. Arta Ramadani ndryshe njihet si një gazetare dhe redaktore disa herë e shpërblyer e televizionit publik gjerman ZDF. 

Burimi: http://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=249126

Foto Galeria