3440 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 28 March 2018
  • SHARE
  • PRINT

“The Times”: Elbenita Kajtazi, fëmija i luftës që këndoi për ta mposhtur frikën

Prishtinë, 28 mars 2018 - Derisa ushtarët ia kishin drejtuar pushkën në kokë, Elbenita Kajtazi asokohe shtatëvjeçare, në mendjen e saj këndonte. Tani, 20 vjet më vonë, zëri i sopranos kosovare ka magjepsur audiencën në “Glyndebourne”, shkruan “The Times”, transmeton “Koha Ditore”.

\

 Si fëmijë, në Mitrovicë, qytetin i cili ende është i ndarë, asaj i pëlqente të këndonte. Këtë funjavë, në udhëtimin e saj të parë në Angli, Kajtazi (27) fitoi çmimin e audiencës në “Glyndebourne Opera Cup”. 

“Këndimi është si terapi për mua. Kur u kthyem në shtëpi pas luftës të gjithë ishim shumë të lumtur që ishim gjallë, kështu që askush nuk do të fliste për atë që kishte ndodhur”, ka thënë Kajtazi për “The Times”. “Për gjeneratën time, të gjithë fëmijët që kanë përjetuar aq shumë trauma, kjo nuk ishte e mirë. Familja ime është torturuar në shtëpinë tonë, ushtarët kërcënuan babanë tim që të largohet duke ma drejtuar automatikun në kokën time. Opera më ndihmon që ta përcjell këtë – mund të këndoj me gjithë emocionet dhe t’i tregoj botës se jam këtu”. 

Derisa juria e garës shpërbleu me vendin e parë Samantha Hankey, mezosopranon amerikane, ka qenë shpërthimi emocional i Kajtazit me arien e Konstanzes nga “Il Seraglio” i Mozartit që i fitoi një të tretën e votave të audiencës. 

“Si këngëtarë ky është qëllimi ynë: nuk është vetëm për vlerësimin e jurisë dhe marrjen e pikëve, por për njerëzit, dhe nëse ata të duan ose jo. Ne këndojmë për ta dhe ne duhet t’i bëjmë ata të ndiejnë diçka. Është arritje goxha e madhe. Marrja e çmimit të audiencës është ëndërr e bërë realitet”, ka thënë ajo. 

Kajtazi, më e madhja nga shtatë fëmijët, nuk është rritur në një familje muzikantësh. Nëna e saj “kishte zë të bukur”, por ishte larguar nga shkolla si e re dhe nuk e kishte vazhduar më. 

“Si fëmijë gjithmonë këndoja, por ndonjëherë ishte vetëm në mendjen time”, ka thënë Kajtazi. “Çdo herë që do të kishte ndonjë situatë të rrezikshme – ushtarët do të hynin në shtëpitë tona ose diçka e tillë – do të gjeja një qosh dhe do të këndoja. Këndimi ishte mënyra ime që ta bëja veten të ndihesha e sigurt”, ka thënë ajo. 

Babai i Kajtazit, mësues, e ka inkurajuar atë që të performojë pasi që ata u kthyen në Kosovë nga Shqipëria. Më pas ajo do të studionte në Universitetin e Prishtinës. 

“Nuk kisha dëgjuar për operën, nuk e dija se ekzistonte”, ka thënë ajo. “Për të mësova duke dëgjuar videot e Maria Callas në ‘YouTube’. E kuptova se këndimi ka të bëjë me emocionet, e opera ta mundëson atë”, ka thënë Kajtazi. 

“Il Seraglio” është përrallë për një grua të ndershme spanjolle të rrëmbyer nga piratët, e ndarë nga i dashuri dhe e shitur si skllave. Performanca e Kajtazit në East Sussex, sipas audiencës, ishte magjepsëse. 

“Kur jam në skenë i harroj të gjitha. Thjesht, përshtatem. Është një arratisje. Në atë moment isha Konstanze, po jetoja historinë e saj – dhimbjen e saj që ishte rrëmbyer dhe ishte ndarë nga i dashuri. Ishte shumë e rëndë. Kur performoj harroj se jam Elbenita, e unë jam person i lumtur”, ka thënë ajo. 

Kajtazi, e cila jeton në Gjermani me burrin e saj, i cili është kompozitor, është rezidente në Operën e Berlinit dhe prej vitit të ardhshëm do t’i bashkohet ansamblit të “Hamburg State Opera”. Kosova nuk ka shtëpi operistike, por ajo shpreson se kjo do të ndryshojë. Ëndrra e saj është të këndojë “La Traviata” të Verdit në shtetin e saj. 

Më shumë se 180 konkurrentë nga 44 shtete garuan në “Glyndebourne Opera Cup”. Përveç çmimit të audiencës, Kajtazi është ranguar e treta nga juria, duke fituar 7 mijë e 500 funte. 

Burimi: http://www.koha.net/kulture/83464/the-times-elbenita-kajtazi-femija-i-luftes-qe-kendoi-per-ta-mposhtur-friken/

Foto Galeria