3450 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 31 August 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli mban ligjëratë në Vjenë, para takimit të përbashkët të Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Vjenë, 31 gusht 2018 – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, me ftesë të euro-deputetit, Lukas Mandl, i cili njëkohësisht është edhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, mbajti një ligjëratë mbi zhvillimet aktuale në Kosovë në “Shtëpinë e Unionit Evropian në Vjenë”.

Në fjalën e tij, Ministri Pacolli, falënderoi Austrinë dhe qytetarët e saj për mbështetjen e vazhdueshme në afirmimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në forcimin e shtet-ndërtimit të saj. 

Para të pranishmëve, kryediplomati kosovar, Pacolli, paraqiti një bilanc dhjetëvjeçar të zhvillimeve të përgjithshme në vend, duke u fokusuar gjithashtu edhe në sfidat e brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës. 

“Pavarësia e Kosovës është një realitet dhe fakt i pamohueshëm. Republika e Kosovës paraqet një storie të suksesit, jo vetëm të angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve të saj me përkatësi të ndryshme etnike dhe fetare. Këto 10 vite janë një sukses enorm, me të cilin ne padyshim duhet të jemi krenar”, shtoi mes tjerash Ministri Pacolli.

Duke u ndalur në rrugën evropiane të Republikës së Kosovës, kryediplomati kosovar shtoi se, votimi i djeshëm me shumicë votash në Komitetin për Çështje të Brendshme në Parlamentin Evropian (LIBE) për heqjen e vizave për Kosovën, është dëshmia më e mirë e vendosmërisë dhe përkushtimit të Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha zotimeve, objektivave dhe detyrimeve, që dalin nga procesi integrues. 

“Evropa paraqet një lloj mozaiku, i cili nuk do të jetë i plotë pa integrimin e Republikës së Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Ministri Pacolli. Në vazhdim, ai shprehu po ashtu bindjen e tij, se sikurse Republika e Kosovës që ka plotësuar 95 kriteret e kërkuara, ashtu edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së do të japin dritën e gjelbër për heqjen e vizave ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke i dhënë fund izolimit të Kosovës. 

Ndërsa, në lidhje me dialogun, që është duke u zhvilluar në Bruksel me shtetin fqinj verior, kryediplomati Pacolli tha se vazhdimisht ka qenë në përkrahje të dialogimit dhe zgjidhjes së problemeve fqinjësore bilaterale në mënyrë paqësore. 

Ai, tutje deklaroi se është kundër ndryshimit shkëmbimeve territoriale dhe pro afirmimit të Zonave Ekonomike, përmes së cilës qytetarëve të Republikës së Kosovës - pa dallim etnie - do t’i ofrohet një perspektivë e qartë e hapjes së vendeve të reja të punës.

Në praninë e një numri të madh diplomatësh, politikanëve, deputetëve, akademikëve e gazetarëve, Ministri Pacolli ka folur për të gjitha aspektet relevante, të cilat e kanë karakterizuar shtet-ndërtimin në Republikën e Kosovën, sidomos që nga periudha e shpalljes së pavarësisë.

Ministri Pacolli së bashku me Zëvendësministren, Rejhan Vuniqi, po qëndrojnë në Vjenë për të marrë pjesë në takimin e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të BE-së me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor. Ministri Pacolli, po ashtu do të zhvillojë një sërë takimesh me homolog nga BE-ja dhe rajoni.

Foto Galeria