3451 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 06 September 2018
  • SHARE
  • PRINT

Vazhdojnë punimet e Konferencës së Pestë të Ambasadorëve, diskutohen temat kryesore të interesit nacional të vendit

Prishtinë, 6 Shtator, 2018 – Pas përfundimit të fjalimeve kryesore nga krerët e shtetit ka vazhduar punimet edhe në pjesën e pasditës Konferenca e Pestë e Ambasadorëve, me panelet, që përfshijnë temat kryesore të intereseve nacionale të vendit dhe me pjesëmarrjen e ekspertëve të njohur ndërkombëtarë e vendorë mbi Politikën e Jashtme, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ministra dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Në Panelin e parë të titulluar: “Kosova, si pjesë e zhvillimeve globale dhe ndikimi i tyre në politikën e jashtme të Kosovës”, referuan dhe shprehën pikëpamjet e tyre, znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, z. Bruno Questel, Kryetar i Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë në Asamblenë Kombëtare të Francës, z. Nabil Ayad, Drejtor i Akademisë Diplomatike të Londrës - Universiteti Loughborough, Ambasador Blerim Reka, Prorektor i Universitetit të Evropës Juglindore – Tetovë dhe Ambasadori, Fletcher Burton, ish-Ambasador dhe Shef i Misionit dhe Zëvendës i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtarë në Kosovë.

Nën moderimin e Ambasadorit të Republikës së Kosovës, Sabri Kiqmari, ky panel fokusin kryesor e kishte mbi analizën e zhvillimeve më të fundit ndërkombëtare dhe ndikimin e tyre në Politikën e Jashtme të Kosovës.

Më pas, gjatë sesionit të pasdites, Konferenca i zhvilloi punimet me panelin e dytë, respektivisht diskutimet mbi “Sigurinë dhe mbrojtjen në dhjetëvjetëshin e dytë të shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Folës kryesorë mbi këtë temë ishin, z. Daut Haradinaj, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha, Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneralejtënant, Rrahman Rama, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe z. Naim Rexha, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Ky debat u moderua nga Ambasadori i Republikës së Kosovës, Ilir Dugolli, ndërsa çështjet më të rëndësishme, që u shtruan ishin ato mbi sfidat e brendshme dhe rajonale të sigurisë, transformimi i FSK-së dhe NATO-ja.

Konferenca e Ambasadorëve do t’i vazhdojë punimet edhe me dy panele të tjera në orët e pasdites, ku fillimisht do të diskutohet mbi “Hapat e Ardhshëm të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane”, respektivisht përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, zbatimin e MSA-së, si dhe Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, dhe më pas mbi “Trendet ekonomike Globale, sfidat, orientimet dhe mundësitë për Kosovën”. 

Konferenca e Pestë e Ambasadorëve, e vlerësuar si ngjarja më e rëndësishme në vend mbi Politikën e Jashtme bashkon vendim-marrësit kryesorë të shtetit, ekspertë të njohur ndërkombëtarë e vendorë mbi Politikën e Jashtme, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ministra, përfaqësues nga shoqëria civile, Ambasadorë të Republikës së Kosovës të akredituar në shtete të ndryshme si dhe Korin Diplomatik të Ambasadave të akredituara në vendin tonë.

Foto Galeria