3452 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 06 September 2018
  • SHARE
  • PRINT

Krerët e shtetit shpalosin orientimet mbi politikën e jashtme në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve

Prishtinë, 6 Shtator, 2018 – Në kuadër të Konferencës së Pestë të Ambasadorëve, që po mbahet në Prishtinë, kanë folur krerët më të lartë të shtetit, duke vlerësuar lartë rolin e diplomacisë kosovare.

Në hapje të Konferencës, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se Kosova ka një trupë diplomatike me të cilën duhet të krenohet, për çka ka shprehur falënderimin e tij.

Kryediplomati Pacolli ka vlerësuar se duke u koordinuar me miqtë në botë, sponsorët e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, po punohet për anëtarësimin në Bashkimin Europian, OKB, Interpol e UNESCO, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare të rëndësishme në botë.

´´Ne, gjithashtu po i kundërvihemi në çdo cep të botës, një veprimtarie destruktive të shtetit fqinj, i cili nuk do ta pranojë se historia nuk kthehet pas, ndaj po stimulon kinse revokim të vullnetit të shteteve që na kanë njohur. Kjo është diçka e paprecedent, e që bie në kundështim me të drejtën ndërkombëtare´´, ka theksuar ai.

Pacolli ka folur edhe për peshën ndërkombëtare të Kosovës nga viti 1999 dhe krahasimin me kohën e sotme, duke bërë thirrje që të prodhohet veprimtari pozitive e unike dhe të shndërrohemi në histori suksesi, duke punuar edhe më shumë për imazhin tonë ndërkombëtarë.

Ai, tutje ka folur edhe për punën që është bërë dhe po bëhet edhe në imazhin e Kosovës dhe rolin që artistët tanë si Dua Lipa, Rita Ora e futbollistët tanë kanë për vendin.

Shefi i diplomacisë së Kosovës ka paraqitur edhe prioritetet e MPJ-së dhe angazhimet për ndërtimin e një shërbimi diplomatik efikas, profesional dhe dinjitoz.

Po ashtu, Pacolli ka folur edhe për një të ardhme më të mirë të vendit, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik, si dhe ka folur për procesin e bisedimeve me Serbinë.

´´Në vend të ndarjes apo shkëmbimeve territoriale, ne duhet të propozojmë Zona të Lira Ekonomike ndër-kufitare. Shkëmbimet territoriale kanë pak gjasa për sukses në kushtet e pabarazisë midis palëve negociatore dhe kanë rrezikun që të shndërrohen në precedentë negativ në rajon apo dhe më gjerë. Ne, duhet t’ju ofrojmë mirëqenie bashkqytetarëve kosovarë me përkatësi etnike serbe, që ata ta ndjejnë Kosovën si shtet të tyre´´, ka theksuar Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në adresimin e tij ka vlerësuar se pas dekadës së parë të shtetësisë, tani është qenësore, që së bashku të ecim drejt një zgjidhjeje, që do i hapë dyert Kosovës kudo nëpër botë. Sipas tij, përfundimi i dialogut me Serbinë gjithsesi se do t’i hapë rrugë edhe një faze të re të diplomacisë sonë.

Sipas Presidentit Thaçi, dialogu me Serbinë është çështje që duhet të mbyllet. BE-ja, sipas tij do t`i pranojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kur këto shtete i mbyllin çështjet e hapura që i kanë mes vete.

´´Duhet të lëvizim nga status quo-ja. Nuk lejojmë formimin e asnjë asociacioni që ngjanë me Republika Srpskan. Pra, nuk do të ketë kompetenca të gjera ekzekutive. Mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të bëjmë korrigjimin e vijës kufitare, rreth 400 km, ta demarkojmë kufirin´´, ka thënë ai, duke shtuar se është momenti të hapim temën e bashkëngjitjes së luginës së Preshevës. ´´Nuk po flas për ndarje të Kosovës, as për shkëmbim as për Republika Serpska. Marrëveshja përfundimtare me Serbinë ka kuptim vetëm nëse RKS fiton njohjen nga Serbia dhe nëse anëtarësohet në Organizatat Ndërkombëtare´´.

Nga ana tjetër, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka folur për sfidat që po e përcjellin shtetin e Kosovës. Sipas tij, këto janë sfida, që kanë të bëjnë, si me funksionimin e brendshëm institucional të shtetit, ashtu edhe më sfidat e përfaqësimit ndërkombëtarë të tij.

´´Të gjithë jemi dëshmitarë se po kalojmë nëpër një debat aspak të lehtë për të ardhmen e shtetit tonë. Kemi ardhur në një faze, e cila kërkon përgjigje të drejta dhe të vendosura se në çfarë drejtimi jemi duke ecur. Dialogu me Serbinë, i filluar disa vite më parë, duhet të përmbyllet´´, ka thënë Veseli. Sipas tij, sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit tonë janë parime të panegociueshme. ´´Njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja alternativë e mundshme për të ardhmen´´, shtoi ai. 

Ndërsa, Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është në vështirësi dhe në tranzicion.

´´Republika e Kosovës është e vendosur për t’i takuar botës euro-atlantike, është e vendosur me i taku koalicionit kundër luftës së terrorizmit dhe është pjesë e aletatëve të vet´´, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

Konferenca e Pestë e Ambasadorëve, e vlerësuar si ngjarja më e rëndësishme në vend mbi Politikën e Jashtme bashkon ekspertë të njohur ndërkombëtarë e vendorë mbi Politikën e Jashtme, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ministra, përfaqësues nga shoqëria civile, Ambasadorë të Republikës së Kosovës të akredituar në shtete të ndryshme si dhe Korin Diplomatik të Ambasadave të akredituara në vendin tonë.  

Foto Galeria