3489 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 06 September 2018
  • SHARE
  • PRINT

Fjalimi per konferencen e 5te te Ambasadoreve

Konferenca e Pestë e Ambasadorëve

Prishtinë, 6 Shtator 2018

 

I nderuar President i Republikës,

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

I nderuari Kryeministër,

Të nderuar përfaqësues të Korit Diplomatik të botës në Kosovë,

Të nderuar dhe të dashur kolegë të Korit Diplomatik të Kosovës në botë,

  • Është kënaqësi e madhe për mua të hap Konferencën e pestë të përfaqësuesve të nivelit të lartë të Kosovës, ambasadorëve tonë dhe shefave të misioneve diplomatike.
  • Që nga fillimi i mandatit tim, të zhvilluar në mënyrë intensive kudo në botë, kam pasur rastin të bashkëpunoj drejtpërdrejt me secilin prej jush.
  • Jam krenar që kam  bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me ju,- stafin e MPJ-së dhe diplomatët tonë kudo në botë, qoftë si politikan i angazhuar në lobimin për njohje, qoftë si president i Kosovës, qoftë si ministër i jashtëm i saj.
  • Kosova ka një Trupë diplomatike me të cilën duhet të krenohet, e këtu hyn; Formimi akademik i pjesëtarëve të saj; ndjenja e shërbimit që ju tregoni ndaj atdheut si dhe serioziteti dhe profesionalizmi që ju e demonstroni në aktivitetin tuaj të përditshëm.
  • Në emër të shtetit të Kosovës, Ju Falënderoj të gjithëve.
  • Të jesh sot përfaqësues i lartë i Kosovës në botë, është nder dhe shans unik në karrierë.
  • Për arsye specifike që lidhen me proceset ku ka hyrë vendi ynë - Ne po punojmë për shtet ndërtimin tonë dhe kjo është ndoshta e pazakontë, sepse shtetet ku ju punoni kanë përmbyllur gjithçka në këto drejtime; 
  • Duke u koordinuar me miqtë tanë në botë, sponsorët e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, ne po punojmë për anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian, OKB, Interpol e UNESCO si dhe në organizata tjera ndërkombëtare të rëndësishme në botë; 
  • Ne gjithashtu po i kundërvihemi në çdo cep të botës, një veprimtarie destruktive të shtetit fqinj, i cili nuk don të pranojë se historia nuk kthehet pas, ndaj po stimulon kinse revokim të vullnetit të shteteve që na kanë njohur
  • Kjo është diçka e paprecedent, e që bie në kundështim me të drejtën ndërkombëtare 
  • Rëndësia e Kosovës, pesha e saj ndërkombëtare nuk është më e njëjta si në vitin 1999, kur nisi procesi i pakthyeshëm i krijimit të shtetit tonë.
  • Kosova në vitin 1999 fitoi një rol qendror në vëmendjen e botës për shkak të spastrimit etnik, luftës dhe gjenocidit.
  • Goditjet ajrore të NATO-s, rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe Mendimi Këshillimor i GJND-së ishin përgjigja e drejtësisë për padrejtësinë.
  • Në mënyrë krejt të natyrshme, Kosova nuk mund ta ketë të njëjtën vëmendje në botë sikur në vitin 1999.
  • Ne sot nuk mund të jemi po aq interesantë për botën, për miqtë tanë, si në vitin 1999, andaj duhet të prodhojmë veprimtari pozitive e unike dhe të shndërrohemi në histori suksesi duke punuar edhe më shumë për imazhin tonë ndërkombëtar.
  • Kemi punuar gjatë këtij viti për një imazh real të Kosovës në media dhe në internet në përgjithësi.
  • Ju ftoj të vijoni të angazhoheni, më cilësisht dhe më fuqishëm se më parë edhe në diplomacinë kulturore përmes figurave kosovare me famë botërore. 
  • Dua ta marr një shembull: Mjaftoi pjesëmarrja e Dua Lipës në festivalin Sunny Hill në Prishtinë, që mediat më të rëndësishme botërore të shkruanin për Kosovën me këndvështrim pozitiv.
  • Dua Lipa, Rita Ora, futbollistët tanë të shquar, dhe individët tjerë të famshëm, familjet e tyre të integruara bukur mirë në Perëndim, janë shembulli më i mirë që duhen angazhuar në betejën tonë për liberalizimin e vizave.
  • Ne kemi bërë çfarë duhet si shtet që të ecet pozitivisht në këtë drejtim, por nevojitet ende punë.
  • Këto figura të ndritshme të Kosovës ndikojnë në opinionin publik perëndimor dhe kështu ndikojnë dhe tek vendimmarrësit e vendeve ku jetojnë.

 

 

Të dashur kolegë,

  • Ne e dimë se i gjithë ky aktivitet i yni kaq specifik, në përmbushje të misionit të diplomatit dhe gjithë këto qindra mijëra kilometra të përshkuar në krejt globin, do kërkonin një administratë diplomatike gjigande.
  • Kjo punë kaq e madhe mund të bëhej prej një shteti të mesëm, apo të madh, por ne po e përballojmë me ju, me mbi 150 diplomatë në gjithë globin, në një numër të kufizuar misionesh që ne po e rrisim, por mundësitë financiare janë të kufizuara. 
  • Natyrisht nuk jemi të vetmuar: E kemi ndihmën e miqve të mëdhenj të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe miqtë e rinj kudo në krejt rruzullin tokësor, të cilëve ne u jemi mirënjohës përjetësisht.
  • Po luftojmë për Kosovën duke pasur edhe ndihmën e Shqipërisë gjithashtu, ndaj ju ftoj të bashkëpunojmë me Shqipërinë më intensivisht dhe më cilësisht.
  • Nëse në misione diplomatike, vendet nordike bashkëpunojnë me njeri tjetrin në përfaqësim, apo nën të njëjtin kulm, atëherë pse të mos i racionalizojmë edhe në burimet tona me Shqipërinë, apo me vende të tjera mike.
  • Ne duhet të ndërtojmë një rrjet që të shkëmbejmë informacionin diplomatik me miqtë anë në funksion të objektivave tona.
  • E kemi ngritur shtetin tonë nga themelet, por për diplomacinë kemi vendosur themele të forta.
  • Populli i Kosovës me sakrifica të mëdha është munduar që t’i japë diplomatëve të vet një trajtim dinjitoz, financiar dhe logjistik.
  • Ne e dimë se duhet të bëhet më shumë, andaj po punojmë për të përmirësuar statusin tuaj me amandamentime në Ligjin e shërbimit diplomatik, për marrëveshje punësimi të familjarëve në shtetet ku jeni të akredituar.
  • Po punojmë për konsolidimin në karrierë të Trupës Diplomatike, Trupës më Përfaqësuese të shtetit të Kosovës, duke pasur parasysh disa të vërteta të pashmangshme.
  • Depolitizimi i shërbimit diplomatik është një objektiv që nuk mund të arrihet matematikisht përfundimisht, por që varet nga disa faktorë:
  • Kërkimi dhe arritja e konsensusit institucional për burimet njerëzore më të mira që kemi në dispozicion për role të caktuara diplomatike;
  • Nevoja për stabilitet dhe sistemim me punë, strehim e shkollim, të familjeve të diplomatëve.
  • Ky objektiv ndonjëherë arrihet dhe tejkalohet, e ndonjëherë jo, por ne do të synojmë gjithmonë kah depolitizimi i shërbimit diplomatik dhe konsolidimit të karrierës në të.
  • Jemi të lumtur megjithatë që jeni të paanshëm politikisht në kryerjen e veprimtarisë suaj diplomatike, duke i shërbyer atdheut konsensualisht dhe duke kontribuar në krijimin e një klime të shëndetshme pajtimi në vend.
  • Është pikërisht klima e pajtimit që i duhet Kosovës në një vit kaq të veçantë si ky, për shkak të një procesi diplomatik plot pengesa e vështirësi si Normalizimi i Marrëdhënieve me Serbinë.
  • Institucionet e Kosovës kanë nevojë për ndihmën dhe ekspertizën tuaj në fushën e të drejtës ndërkombëtare, ekonomisë, financës, historisë, etj.
  • Miqtë e Kosovës që e asistojnë këtë proces në vijë të parë dhe nga afër, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, kanë kërkuar nga ne që të jemi kreativë në përmbajtjen e këtyre bisedimeve.
  • Megjithatë këto bisedime prej Lehtësuesit të tyre- Bashkimit Europian kanë: afat kohor dhe format të përcaktuar.
  • Ne nuk mund të ndërhyjmë në këto dy elemente, por të gjithë ne, Trupa Diplomatike, bashkë me institucionet, me Presidëncën, Parlamentin e shoqërinë civile, do të kontribuojmë në Përmbajtjen e kësaj Marrëveshjeje, e cila do duhet të përmbyllet me njohjen e Kosovës, anëtarësimin e saj në OKB dhe në mënyrë zinxhirore në të gjitha organizatat globale dhe kontinentale.
  • Ne nuk mund të prodhojmë trende negative në rajon apo në pjesë të tjera të globit, ne duhet të jemi konstruktivë duke ofruar precedentë të së mirës.
  • Duhet të jemi të vetëdijshëm se pas ngurtësisë serbe në qëndrimet diplomatike, qëndron një strategji përfitimi maksimal veçanërisht në terme ekonomike, në dëm të Kosovës, ekonomisë së saj, pasurive publike të saj, pasurive private të qytetarëve dhe të familjeve tona.
  • Ne kemi gabuar duke lëshuar terren për ekonominë e Serbisë në territorin tonë, pa kurrfarë përfitimi, por sot, kjo gjë nuk mund të vazhdojë më.
  • Ne duhet ta zgjedhim llojin e marrëdhënies me Serbinë tash e tutje, sepse: mosnjohja dhe mosanëtarësimi në OKB, po na kushton shumë.
  • Për shkak të izolimit tonë ndërkombëtar, me kontributin e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe rolit të saj destruktiv, ne nuk po mundemi të revitalizojmë ekonominë tonë publike, minierat tona, Fondin e Pensioneve dhe atë të privatizimit.
  • E kjo është një kosto tjetër e madhe.
  • Na duhet ekspertiza ekonomike dhe financiare për bisedimet!
  • Ne duhet të marrim iniciativën në propozime, duke kufizuar hapësirën që Serbia të luajë rolin e viktimës ndaj nesh, ndërsa të dhënat në terren janë krejt të kundërta ;
  • Konflikti ndëretnik është zero ;
  • Korpusi i të drejtave individuale dhe komunitare të bashkësisë serbe është më i ploti në botë ;
  • Ekonomia serbe kontrollon energjitikën tonë, pjesë të rëndësishme të agrobiznesit ; të tregëtisë, etj.
  • Në vend të ndarjes apo shkëmbimeve territoriale, ne duhet të propozojmë zona të lira ekonomike ndërkufitare.
  • Shkëmbimet territoriale kanë pak gjasa për sukses në kushtet e pabarazisë midis palëve negociatore dhe kanë rrezikun që të shndërrohen në precedentë negative në rajon apo dhe më gjerë. 
  • Ne duhet t’ju ofrojmë mirëqenie bashkqytetarëve kosovarë me përkatësi etnike serbe, që ata ta ndjejnë Kosovën si shtet të tyre.
  • Nuk do ta zgjas më shumë, sepse do kemi rastin të shihemi përsëri gjatë paneleve të ndryshme për sigurinë, diplomacinë ekonomike dhe të tjera.

 

 

Punë të mbarë për të gjithë ju !

Ju Falemnderit !

 

 

Foto Galeria