3501 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 28 September 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli: Kosova dhe Madagaskari shpejtë do të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe organizojnë Forum Ekonomik

New York, 27 Shtator 2018 – Republika e Kosovës dhe Republika e Madagaskarit shpejtë do të vendosin marrëdhënie diplomatike, avancim ky më i lartë i përfaqësimit diplomatik në të dyja vendet respektive dhe do të organizojnë një Forum Ekonomik në mes dy vendeve.

Ky ishte dakordimi i përbashkët në mes kryediplomatit të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, dhe homologut të tij, Ministrit të Jashtëm të Madagaskarit, Dovo Eloi Maxime, pas një takimi zyrtarë, që u zhvillua në margjina të punimeve vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“U dakorduam për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike që hapë rrugën e themelimit të Ambasadave, organizimin e një Forumi Ekonomik dhe bashkëpunim dy dhe shumë palësh. Do të jemi bashkë në Organizatën e Frankofonisë dhe Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, në javët e ardhshme”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Gjatë këtij takimi, numri dy i Qeverisë, Pacolli, e ka falënderuar homologun e tij edhe për njohjen që kishte bërë shteti i Madagaskarit në një moment shumë të rëndësishëm.

“I thashë se njohja nga vendi Juaj erdhi në një moment të rëndësishëm dhe ne ju falënderojmë”, ka thënë Ministri Pacolli.

Në ndërkohë, nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Madagaskarit ka thënë se “me njohjen e Kosovës, ne thjeshtë kemi bërë atë që duhej, duke njohur luftën e saj për liri dhe pavarësi”. 

Foto Galeria