3532 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 19 October 2018
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtëm Pacolli: Marrëdhëniet Kosovë Turqi mbështeten në faktorë historik, ekonomik e strategjik, Turqia zë vend të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës

Prishtinë, 19 Tetor 2018 – Marrëdhëniet dypalëshe në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë mbështeten në faktorë historik, ekonomik dhe strategjik dhe për Kosovën Turqia zë vend të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës, në procesin e lobimit për njohje ndërkombëtare, për anëtarësim si dhe shtim të prezencës në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale.

Ky ka qenë njëri nga mesazhet kryesore i Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, në cilësinë e nikoqirit për homologun e tij turk, Ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu

“Ishte kënaqësi, të jem nikoqir i vizitës dhe takimit me homologun tim mik nga Turqia, Mevlüt Çavuşoğlu. E falënderova për përkrahjen e vazhdueshme, që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në procesin e konsolidimit/shtet-ndërtimit dhe vazhdon ta përkrahë Kosovën si në aspektin politik, ekonomik atë të sigurisë, arsimor e shëndetësor, duke mos anashkaluar edhe fushat tjera. Të dyja shtetet respektive ndajnë vizionin e përbashkët për të ardhmen Euro-Atlantike të Ballkanit dhe Turqia ka qenë dhe mbetet mbështetës i vendit tonë në platformat ndërkombëtare e rajonale. Angazhimi konstruktiv i Turqisë në rajon është një shtyllë stabiliteti. Në veçanti, kërkova mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin në INTERPOL” , ka thënë kryediplomati kosovar Pacolli.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet e afërta në mes dy vendeve dhe dy popujve dhe nivelin e shkëlqyeshëm të bashkëpunimit e ka vlerësuar edhe Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, duke u zotuar dhe shprehur vullnetin dhe përkushtimin e Republikës së Turqisë për ngritjen e tyre në një nivel edhe më të lartë në të gjitha fushat e interesit reciprok dhe duke shprehur mbështetje të plotë për lobim të mëtejme për sigurimin e njohjeve të reja dhe mbështetje të fuqishme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në INTERPOL.

Në vazhdim të takimit të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar mbi një gamë të gjerë çështjesh të interesit bilateral dhe multilateral.

Turqia konsiderohet ndër 6 partnerët tregtar më të mëdhenj të Kosovës në përgjithësi, ndër tre partnerët më të mëdhenj në rajon me një shkëmbim tregtarë në vlerën prej 1.86 miliardë Euro përgjatë viteve 2008-2016 dhe bënë pjesë në grupin e vendeve me prezencën më të madhe të investimeve në Kosovë me një vlerë prej mbi 1.5 miliardë euro. 

Deri më tash, llogaritet se mbi 1 mijë biznese turke janë të regjistruara në tregun e Kosovës me rreth 10 mijë vende të reja pune të krijuara në vend.

 

 

Foto Galeria