3555 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 27 November 2018
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendës-Ministri Berisha: Kosova të mos jetë vetëm konsumuese, por edhe ofruese e sigurisë rajonale dhe globale

Prishtinë, 27 Nëntor 2018 – Republika e Kosovës nuk duhet të jetë vetëm konsumuese, por edhe  ofruese e sigurisë rajonale dhe globale dhe për këtë qëllim ne duam që të kontribuojmë me ekspertizën tonë në NATO dhe misionet ndërkombëtare të NATO-s.

Kështu ka thënë Zëvendës-Ministri i Punëve të Jashtme, z. Anton Berisha, në hapjen e Konferencës Ndërkombëtare të titulluar: “Siguria dhe Bashkëpunimi Rajonal në Evropën Jug-lindore, transformimi i Forcës së Sigurisë dhe Perspektiva Euro-Atlantike e Rajonit”, e cila u mbajt në Prishtinë.

“Tranzicioni i FSK-së është një kapitull i ri për Kosovën, por që do ta thellojë partneritetin me NATO-n edhe më tutje. Ky tranzicion dëshmon pjekurinë dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi më shumë së bashku. Për këtë qëllim, ne duam, që Republika e Kosovës të mos jetë vetëm konsumuese, por edhe të bëhet ofruese e sigurisë rajonale dhe globale dhe të kontribuojmë me ekspertizën tonë në NATO dhe misionet ndërkombëtare të NATO-s”, është shprehur Zëvendës-Ministri Berisha.

Duke folur mbi arkitekturën e sigurisë në Evropën Juglindore, ai ka thënë se “zgjerimi i NATO-s në rajon dhe përafrimi i kufijve të NATO-s me Kosovën e kanë rritur sigurinë si për Kosovën ashtu dhe për rajonin”.

“Ky rajon i përket NATO-s. Anëtarësimet e deritanishme të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë kontribuar, që Evropa Juglindore (EJL) të jetë e sigurt. Jetësimi i anëtarësimit të Maqedonisë dhe fillimi i negociatave me Kosovën do t’i kontribuojë paqes. Kosova është e interesuar, që sa më shpejte të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe dhe të zyrtarizojë marrëdhëniet kontraktuale me NATO-në. Ky do të ishte sinjal i fuqishëm politik në konditat e përgjithshme të sigurisë dhe të stabilitetit të EJL”, ka thënë Berisha, duke theksuar se “lidhja e Kosovës me NATO-në është  historike dhe e veçantë marrë parasysh Aleancën në udhëheqje të forcave të KFOR-it, në Kosovë, që nga viti 1999, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë si dhe duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës tonë të sigurisë”.

Në vazhdim të prezantimit të tij, Berisha, vlerësoi se “prania e KFOR-it është e domosdoshme, por fillimi i negociatave për anëtarësim në NATO është  jetik për Kosovën”.

“Kosova sot më shumë se kurdoherë ka nevojë për një rrugë të qartë drejt BE-së dhe NATO-s. Ne, të gjithë duhet ta njohim përparimin e rëndësishëm, që ka bërë vendi ynë pas shpalljes së pavarësisë dhe ky lloj i përparimit do të ishte i pamundur pa perspektivën e NATO-s dhe BE-së në tavolinë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Presidenti i Asociacionit Euro-Atlantik për Kosovë, z. Besfort Rrecaj, që ishte si bashkë-organizatorë i kësaj Konference ka thënë se “ky Asociacion do të zhvillojë projekte konkrete me ATA-n për ngritje të angazhimeve të NATO-s karshi Kosovës dhe rajonit në avancimin e procesit të integrimit të Kosovës në NATO”. 

Në kuadër të punimeve të kësaj konference kanë referuar me prezantimet e tyre edhe Presidenti i Asociacionit të Traktatit të Atlantikut, Fabricion Luciolli, Zëvendës-Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, Majori Brian Develin, Shef i Zyrës për Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë dhe Ljubica Pendaroska, Drejtor i Forumit të Sigurisë George Marshall nga Maqedonia. 

 

Foto Galeria