3576 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 19 December 2018
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Berisha në takimin e vendeve të Kartës së Adriatikut: Ushtria e Kosovës, do të jetë një forcë profesionale, multi-etnike, në funksion të paqes dhe në shërbim qytetarëve

Podgoricë, 18 dhjetor 2018 – Ushtria e Kosovës, do të jetë një forcë profesionale, multi-etnike, në funksion të paqes në rajon dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kështu ka thënë Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, z. Anton Berisha, në fjalën e tij, para ministrave të jashtëm të shteteve anëtare në përmbyllje të kryesimit të Kartës së Adriatikut nga ana e Malit të Zi, e cila u mbajt në Podgoricë.

Në vazhdim, zëvendësministri Berisha të pranishmëve ua sqaroi procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mandatin e saj të ri në Ushtri, duke e sqaruar procesin në përputhje me standardet më të mira dhe moderne, përmes miratimit të tri Ligjeve në Kuvendin e Kosovës.

Më pas, ai i shprehi Malit të Zi falënderimin për kontributin e dhënë si kryesuese e radhës, përderisa kërkoi, që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës, si një mundësi, që do të ndihmojë rajonin, do të kontribuojë në bashkëpunimin rajonal dhe do të jetë në funksion të paqes.

Gjatë punimeve të Konferencës, Ministrat e Jashtëm të A5 vlerësuan se ky vit ka shfaqur një energji të re për perspektivën euro-atlantike të rajonit, ndërsa është konstatuar pozitive ftesa, që i është bërë Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe situata aktuale e sigurisë, bashkëpunimi rajonal si dhe prioritet e ardhshme të A5.

Në këtë takim Kosova është përfaqësuar nga zëvendësministri i jashtëm, Anton Berisha,  ndërsa kanë marrë pjesë ministrat e jashtëm të Malit të Zi, Srgjan Darmanovic, Shqipërisë, Ditmir Bushati; Kroacisë, Marija Pejqinoviq-Buriq; Bosnjës e Hercegovinës, Igor Crnadak, shefja e Zyrës së Europës Juglindore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Suzan Falatko, zëvendësministri i jashtëm i Maqedonisë, Andrej Zhernovski; ndihmësministri i jashtëm i Serbisë, Branimir Filipoviq dhe këshilltari i mbrojtjes së Sllovenisë, Primozh Shavc.

Në fund të Konferencës, është aprovuar Deklarata e Përbashkët, në të cilën u dëshmua përkushtimi për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e përparimit të vazhdueshëm në proceset integruese euro-atlantike të rajonit. 

Pas konferencës, shefat e delegacioneve realizuan një takim të përbashkët me kryetarin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Kryesimin e radhës së Kartës së Adriatikut do ta merr Republika e Shqipërisë.

Foto Galeria